Kur partitë ndajnë atë që duhet të bashkohet

    Safit Zeqiri

    Në skenën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët përbëjnë një faktor të rëndësishëm numerik dhe historik. Por përkundër kësaj, ndarja politike mes partive shqiptare është një realitet që vazhdon prej dekadash, duke prodhuar më shumë përçarje se sa unitet rreth çështjeve jetike për pozitën dhe statusin e kombit shqiptar në shtet.

    Sot kemi disa parti shqiptare që pretendojnë të përfaqësojnë interesin e njëjtë nacional, por që më tepër përplasen për pushtet, poste dhe dominim në skenën politike, sesa të ndërtojnë një platformë të përbashkët për avancimin e statusit të shqiptarëve si popull shtetformues. Kу fragmentarizim politik, në vend që të fuqizojë zërin e shqiptarëve, e ka dobësuar atë, duke e bërë më të kapshëm për kompromis të padrejtë në tavolinat e negociatave politike me partnerët e palës tjetër.

    Ndarjet filluan menjëherë pas pluralizmit dhe pavarësisë së vendit, kur partitë shqiptare filluan të konkurrojnë jo vetëm për vota, por edhe për legjitimitetin e përfaqësimit nacional. Në vend që të formonin një bllok të unifikuar për të kërkuar barazi të plotë, njohje kushtetuese si komb shtetformues, përdorim real të gjuhës shqipe dhe zhvillim ekonomik në zonat shqiptare, ato filluan të krijonin fronta të ndara, që më shumë punonin për njëri-tjetrin sesa për popullin që i votonte.

    Mungesa e një vizioni të përbashkët dhe dëshira për dominim të egos politike, ka bërë që bashkëpunimi mes tyre të jetë i rrallë dhe shpesh i diktuar vetëm nga rrethanat dhe interesat momentale. Derisa partitë politike maqedonase e centralizojnë fuqinë politike për ruajtjen e interesit të tyre shtetëror, shqiptarët përçahen për pozita në dikastere që shpesh nuk mbajnë asnjë ndikim real mbi zhvillimin afatgjatë të komunitetit.

    Çmimi paguhet në çdo cikël zgjedhor, në çdo marrëveshje të paplotë për integrimin e drejtë të shqiptarëve, në çdo kompromis për ligjin e gjuhëve, për simbolet kombëtare, për përfaqësimin e drejtë në administratë dhe organe tjera shtetërore. Shqiptarët ende nuk kanë arritur të kenë një qëndrim unik as për çështje elementare si regjistrimi i popullsisë, përfaqësimi i diasporës apo decentralizim funksional të komunave me shumicë shqiptare.
    Kjo përçarje ka sjellë gjithashtu një apati të thellë tek votuesi shqiptar, i cili gjithnjë e më tepër ndjen zhgënjim dhe mungesë besimi ndaj të gjitha partive. Pjesëmarrja në votime po bie, ndërsa përfaqësimi politik gjithnjë e më tepër po humbet lidhjen me hallet reale të qytetarëve shqiptarë.

    Uniteti nuk është i pamundur. Ai kërkon pjekuri politike, vetëdije kombëtare dhe guxim për të vënë interesin kolektiv mbi atë personal apo partiak. Për këtë, nuk kërkohen vetëm deklarata emocionale nëpër tubime apo slogane patriotike para zgjedhjeve, por ndërtimi i një fronti politik që në mënyrë transparente, profesionale dhe të përbashkët, kërkon zgjidhje konkrete për statusin e shqiptarëve.

    Platforma e përbashkët shqiptare, e propozuar disa herë në të kaluarën, nuk ka dështuar për mungesë idesh, por për mungesë vullneti të sinqertë për bashkëpunim. Derisa kjo të ndryshojë, shqiptarët do të vazhdojnë të përfaqësohen nga shumë parti të ndara që flasin në emër të tyre, por që rrallë herë flasin me një zë.

    Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për bashkim rreth interesave të mëdha kombëtare, jo për ndarje rreth posteve të vogla. Statusi si popull shtetformues, barazia gjuhësore, zhvillimi ekonomik dhe përfaqësimi i drejtë nuk mund të arrihen me përçarje dhe egoizëm politik.

    Koha kërkon një klasë politike që e vë kombin mbi partinë dhe kjo fillon me bashkim, jo ndarje.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    VMRO e akuzon Filipçen për ‘modularin’ në Tetovë, LSDM i kundërpërgjigjet me tragjedinë në Koçan

    Lajmi i rradhës

    Eurointegrimet / Bisedimet në qorrsokak

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë