Kim Mehmeti
Thonë se nga i keqi del i miri, nga hajduti i ndershmi, nga i pafytyri i dinjitetshmi dhe nga frikacaku lind trimi.
Por gjithashtu thonë se nga ai me mendësi enveriste mund të lind vetëm një diktator dhe se nga një i tillë kurrë nuk mund të bësh burrështetas që e do vendin dhe popullin e vet.
Këtë, me shumëçka, e dëshmon Piktori me ‘Rilindjen’ e tij, por edhe të rinjtë e guximshëm që protestojnë në Tiranë, shumica e të cilëve janë fëmijët e ne prindërve frikacakë që, gjatë një jete, me duart tona, farkuam dy diktatorë: Enverin e parë dhe këtë të dytin – Piktorin.
Andaj, edhe mund të thuhet se sot në Tiranë përballen pushtetarët që ndërtojnë demokracinë me mendësi enveriste dhe fëmijët që u rritën në shoqërinë neokomuniste, por që e kuptuan se duhet t’i shërbesh shtetit e jo të pushtetit!
Në Tiranë, pra, jehon zëri i dinjitetit kombëtar, zëri i rinisë që e di se atdhedashuria nuk është e barabartë me besnikërinë ndaj partisë dhe përulësinë ndaj të pushtetshmit!
Kuptohet, shumëçka mund të thuhet për ne pakurrizorët që e rrëzuam Partinë e Punës, por jo edhe komunizmin, ashtu siç mund të thuhet shumëçka edhe për fëmijët tanë, të cilët i lamë në duart e atyre që nga Enveri i dallon vetëm fakti se prijësi komunist vriste njerëz, ndërsa këta diktatorët demokratikë e vranë Shqipërinë.
Por ajo që duhet nënvizuar është se rinia e sotme e ka kuptuar se ose do ta rrëzojë neokomunizmin, ose vetë do të përfundojë me valixhe në dorë apo e përkulur para Piktorit.
Njësoj siç e ka kuptuar se atë nuk mund ta mposht pashpirtësia e policëve që e gjuajnë me plumba gome dhe gaz lotsjellës, por vetëm heshtja e atyre që duhet të flasin dhe britmat e atyre që duhet të kenë turp ta çelin gojën!
Ndërkohë, mbase edhe Piktori e ka kuptuar se, për ta shpëtuar vetveten, nuk i mjafton mbrojtja policore, por do t’i duhet që me ligj ta ndalojë atdhedashurinë e ta lejojë hajdutërinë dhe tradhtinë.
Pra, atij i ka mbetur vetëm që t’i dëbojë nga vendi apo t’i burgosë të gjithë ata që e duan Shqipërinë më shumë se atë dhe ‘Rilindjen’ e tij.
Por, sidoqoftë dhe sado që ‘Aleanca e Qelbësirave’ të mundohet për ta shpëtuar Piktorin, ai do të përfundojë atje ku edhe vëllai i tij i Beogradit, bashkë me kriminelët e vet që dhunuan studentët – pas grilave. Panorama





