Mahmoud Darwish
Përktheu: Xhemazije Rizvani
Gaza është larg të afërmve të saj dhe pranë armiqve të vet,
sepse kurdo që Gaza eksplodon, kthehet në ishull
dhe kështu, nuk pushon kurrë së eksploduari.
Ia ka grithur fytyrën armikut,
ia ka prishur ëndrrat,
dhe ia ka ndalur kënaqësitë me kohë.
Sepse në Gazë, koha është ndryshe.
nuk është një element i paanshëm.
Nuk të fton të sodisësh në qetësi,
por të rebelohesh dhe të luftosh me realitetin.
Atje, koha nuk e bën fëmijën plak,
por e bën burrë sapo përballet me armikun.
Koha në Gazë nuk njeh pushim
por është luftë me mesditën që digjet.
Sepse vyrtytet në Gazë janë krejt ndryshe, ndryshe, ndryshe.
I vetmi vyrtyt që ka rëndësi për të pushtuarin
është sa shumë reziston.
Kjo është e vetmja garë që njihet atje.
Gaza e ka mësuar këtë vlerë mizore e fisnike
jo nga librat, seminaret, as nga propagandat e zëshme me megafonë apo këngët,
por nga përvoja,
nga puna që nuk bëhet sa për sy e faqe,
Gaza s’ka gojë
janë poret e saj që flasin,
me djersë, me gjak, me flakë.
Prandaj armiku e urren kaq fort,
e frikësohet deri në vdekje,
dhe do ta zhysë në det, në shkretëtirë apo në gjak.
Ndaj miqtë dhe të afërmit e saj
e duan me ndrojtje
me xhelozi dhe frikë,
sepse Gaza është një mësim brutal
dhe një shembull i përndritur
për armiqtë dhe miqtë njësoj.
Gaza nuk është qyteti më i bukur.
Bregu i saj nuk është më i kaltër se brigjet tjera arabe.
Portokallet e saj nuk janë më të hijshmet e Mesdheut.
Ajo nuk është më e pasura, më e madhja, më e rregullta.
Por ajo është baraz me historinë e një atdheu të tërë
sepse është më e shëmtuar në sytë e armikut,
më e varfër, më e përvuajtur, më e egër,
sepse ajo është më e afta për t’ia prishur rehatinë dhe qetësinë.
Është makth Gaza.
Është portokalle të minuara,
fëmijë pa fëmijëri, pleq pa pleqëri, gra pa ëndrra.
Për këtë
Gaza është më e bukura, më e pastra, më e dashura ndër ne.
Dhe më e denja për dashuri.
I bëjmë padrejtësi Gazës kur kërkojmë poezitë e saj, le të mos ia shëmtojmë bukurinë.
Ajo që është më e bukur tek ajo është pikërisht mungesa e poezisë, në një kohë kur ne përpiqeshim të triumfonim mbi armikun me poezi dhe e besuam se kjo mund të ndodhë madje u gëzuam kur pamë që armiku na linte edhe të këndonim.
Kështu, e lejuam të fitoj ,
e kur u thanë buzët tona nga vargjet,
ata kishin ngritur qytete, kështjella dhe rrugë.
Ne i bëjmë padrejtësi Gazës kur e kthejmë në mit
sepse do ta urrejmë kur ta shohim siç është:
një qytet i vogël, i varfër, që reziston.
Ne i bëjmë padrejtësi kur pyesim:
“Çfarë e ktheu në mit Gazën?”
Po të kishim dinjitet, do të thyenim pasqyrat
do të qanim ose do të mallkonim veten
që nuk guxojmë të rebelohemi.
Ne i bëjmë padrejtësi Gazës kur e glorifikojmë
sepse mahnitja na shtyn të presim,
dhe Gaza nuk vjen.
Gaza nuk çliron askënd
Gaza nuk ka kuaj, avionë, shkopinj magjikë
apo zyra nëpër kryeqytete.
Gaza çliron vetëm veten,
dhe në këtë rrugë, çliron edhe gjuhën tonë
nga fjalët e kota që i kemi ngjitur asaj.
Kur ta takojmë në ëndërr,
nuk do të na njohë
sepse Gaza ka lindur nga zjarri,
ndërsa ne kemi lindur nga pritja,
dhe lotët për shtëpi të braktisura.
Qëndresa e Gazës është popullore,
e bashkuar, e vendosur,
ajo nuk kërkon emër, as imazh, as duartrokitje.
Nuk pranoi kujdestari, as firmë, as vulë.
Nuk e trajtoi kurrë rezistencën si profesion,
as si institucion.
Nuk bëri grim për kamerat.
Nuk deshi as lavdi, as reklama.
Prandaj Gaza është mallkim për tregtarët
dhe thesar moral për arabët.
E bukura e Gazës është se zëri ynë nuk e shpërqendron.
Asnjë zhurmë nuk ia largon grushtin nga fytyra e armikut.
Jo format e shtetit palestinez që do të ndërtojmë
as në hënën lindore,
as në Marsin perëndimor kur të zbulohet.
Gaza i është kushtuar refuzimit…
Uria dhe refuzimi,
etja dhe refuzimi,
zhvendosja dhe refuzimi,
rrethimi dhe refuzimi,
vdekja dhe refuzimi.
Armiku mund të ngadhënjejë
deti mund ta përmbytë këtë ishull,
mund t’i thyejë eshtrat,
të ngulë tanke në trupat e fëmijëve dhe grave,
ta hedhin në gjak, në rërë, në det…
Por Gaza nuk do të thotë “Po”.
Nuk do të përsërisë gënjeshtra.
Ajo do të vazhdojë të eksolodoj.
Nuk është as vdekje, as vetëvrasje.
Është mënyra e saj për të thënë se meriton të jetojë.