Përderisa vendit i mungon një mekanizëm, i cili do të rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucionet shtetërore, punësimet dhe avancimet ekskluzive vetëm për maqedonasit vazhdojnë të mbeten kryetemë në opinionin publik. Këtë shqetësim po vazhdojnë ta ngritin partitë shqiptare opozitare. ASH e Arben Taravarit shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me të dhënat e fundit qe vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, e të cilat dëshmojnë për një përjashtim të qartë dhe të pajustifikueshëm të shqiptarëve nga përfaqësimi institucional.
“Nga gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve, vetëm 14 janë shqiptarë. Një përfaqësim i tillë jo vetëm që nuk pasqyron realitetin demografik të vendit, por përbën një precedent të rrezikshëm drejt përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare”, theksojnë nga ASH e Taravarit. Nga ky subjekt politik, i cili së fundmi braktisi Qeverinë, theksojnë se këto zhvillime nuk janë rastësi administrative, por vazhdimësi e një politike diskriminuese që, fatkeqësisht, po zbatohet nën petkun e reformave dhe premtimeve për barazi. Ata i bëjnë thirrje përfaqësuesve të koalicionit VLEN dhe drejtuesve institucionalë që të ndalin menjëherë këtë politikë përjashtuese dhe të rikthejnë respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe siç e imponon realiteti shumë etnik i vendit.
“Shqiptarët nuk janë 10% e popullsisë, siç pasqyrohet në këtë rast dhe në shumë raste të tjera të ngjashme. Ata përbëjnë 29.52% të qytetarëve të këtij shteti, sipas të dhënave zyrtare. Çdo përpjekje për të mohuar këtë realitet është e papranueshme dhe cenon rëndë legjitimitetin e përfaqësimit shtetëror”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga ana tjetër, brenda koalicionit VLEN qëndrimet duket se janë të ndara për sa i përket kësaj çështjeje. Së fundmi, kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga drejtuesit e VLEN-it, Bilall Kasami i Lëvizjes BESA tha se punësimet bëhen në bazë të marrëveshjes politike deri në hartimin final të Ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat. “Ne kemi pajtueshmëri si partner koalicioni, dhe nuk do të futemi në kurthe. Ka pasur raste kur në institucione të caktuara ka pasur më shumë shqiptar sesa maqedonas, ndodhë edhe anasjelltas. Punësimet duhet të ruajnë përfaqësimin adekuat. Në total punësimi i shqiptarëve nuk do të jetë nën 25%”, tha Bilall Kasami.
Mirëpo, edhe pse Kasami thekson se ka pasur raste ku janë punësuar më shumë shqiptarë se maqedonas, një gjë tjetër e thotë zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili fajin për mospunësimin e shqiptarëve e adreson te ish-kryetari i tij, Arben Taravari. Sipas Fetait, Taravari me strukturat e tij derisa ka qenë pjesë e VLEN-it, ka bllokuar punësimin e shqiptarëve.
“Ose nuk janë të informuar, ose janë të manipuluar. Ata në vend se të dalin në protesta para Qeverisë, duhet të pyesin kryetarin e tyre Arben Taravarin se përse ky i fundit i ka kërkuar Blerant Ramadanit si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët në kadrovikun e VLEN-it dhe Qeverisë, para dy muajve që të bojkoton komisionin kadrovik, ku vendoset për planifikimin e punësimeve”, tha Fetai, ndërsa e ka komentuar protestën e të rinjve të ASH-së së Taravarit para ndërtesës së Qeverisë. Ai tha se ky ka qenë një plan i përgatitur për të shkaktuar mllef te shqiptarët.
“Unë përgjigjen e di, kjo ka qenë pjesë e planit për të shkuar në BDI, duke tentuar kësisoj që të shkaktohet dëshpërim, zhgënjim, por ky plan ka dështuar do e shihni gjatë dy-tre javëve në vazhdim që punësime për shqiptarët do të ketë”, theksoi Fetai, duke komentuar reagimet e ASH-së.
VLEN ndërkohë thekson se me masat qeveritare, si plani operativ për punësim VLEN do të mundëson që si asnjëherë më parë të ketë punësime për qytetarët, posaçërisht për të rinjtë.
“VLEN me krenari njofton opinionin se është lansuar Masa 2.1 Punësim dhe rritje e ndërmarrjeve, pjesë e planit operativ për punësim. Kjo masë synon jo vetëm hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe fuqizimin e bizneseve lokale, një hap i madh drejt një ekonomie më të fortë, më të drejtë dhe më përfshirëse! Të drejtë aplikimi kanë: Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme; Organizatat qytetare të interesuara për krijimin e vendeve të reja të punës; Ndërmarrjet e reja të themeluara përmes Programit për Vetëpunësim në vitin 2024”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Megjithatë mbetet të shihet nëse këto masa të paralajmëruara të Qeverisë do të kenë efektin e duhur, marrë parasysh edhe faktin se në të kaluarën masat e tilla nuk kanë dhënë rezultatet që priteshin. Instituti IDEA, në hulumtimin e tij të fundit për masat qeveritare për punësim të vitit 2014-2023 potencon se nga numri total i bizneseve të krijuara nëpërmjet granteve për vetë-punësim në 10 vitet e fundit, 24.95% janë mbyllur, 0.68% janë në procedurë të mbylljes dhe 0.28% janë para mbylljes.
“60.47% e kompanive (apo 561 kompani) të cilat kanë përfituar grante në vitin 2014 kanë falimentuar dhe janë fshirë nga Regjistri Qendror ose janë në proces të falimentimit. Kjo shkallë bie në vitet vijuese, ku në vitin 2015 kemi 50.69%, në vitin 2016 52.55%. Ajo që bie në sy është se mbi 17% e kompanive të themeluara në vitin 2021 janë fshirë nga Regjistri Qendror apo janë në proces të falimentimit. Arsyet e fshirjes nga Regjistri Qendror duhet të hulumtohen më tej me analizë më të thuktë kualitative për të parë mundësitë e adresimit të problemeve strukturale që çojnë në një shkallë të tillë të dështimeve të kompanive që marrin grante”, thuhet në hulumtimin e Institutit IDEA.
Ky Institut rekomandon që të rritet monitorimi dhe mbështetja e bizneseve, përmes sigurimit të komunikimit të vazhdueshëm në mes të grantistëve dhe institucioneve të cilat do të ofronin trajnime të vazhdueshme dhe konsulenca të rregullta mbi menaxhimin dhe sipërmarrësinë. Po ashtu kërkojnë që të rritet transparenca sa i përket përzgjedhjes së përfituesve, si dhe të përmirësohet performanca e vet programit duke bërë një analizë të detajuar mbi mungesat e tregut dhe profesioneve deficitare dhe stimulimin e njerëzve të papunë drejt atyre profesioneve, duke i trajnuar dhe aftësuar në atë drejtim. /Koha/