Në vazhdën e akuzave mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, drejtori i Inspektoratit për Urbanizëm, Zuhej Rexhepi, në një prononcim për Gazetën Lajm njofton se problematika e ndërtimeve pa leje nuk e tangon vetëm Çairin por gjitha komunat në nivel shteti. Në të gjithë shtetin siç njoftoi Rexhepi, ka rreth 203,000 objekte pa leje, ndërsa Çairi ndodhet në vendin e 19të. Ajo që habitë është Komuna e Sarajit e cila sipas drejtorit Rexhepi, asnjëherë nuk ka dorëzuar të dhëna për objekte pa leje. Çdo herë kur u drejtohen si inspektorat, gjërat i marrin si tendencioze, thotë Rexhepi.
“Nga 80 komuna në nivel shtetëror, unë kam të dhëna vetëm për 79 komuna. Një komunë, për çfarë arsye nuk e di, gjithmonë refuzon të bashkëpunon me institucionin shtetëror. Bëhet fjalë për komunën e Sarajit. E shoh se gjithmonë ka qenë komuna që asnjëherë nuk i është nënshtruar kontrolleve të inspektoratit për urbanizëm. Çka fshehin ato me ato të dhëna nuk e di, nuk kam qasje në atë institucion”, tha Zuhejr Rexhepi – Drejtor i Inspektoratit për Ndërtimtari dhe Urbanizëm.
Diskutimi për objektet pa leje në Saraj u bënë aktuale si kundër përgjigje e VLEN-it, pasi kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska filloi me inspektime në ndërtesa të ndryshme nëpër Çair. Nga VLEN i konsideruan si të qëllimshme dhe të porositura, ndërsa pyesnin Arsovskën se pse nuk vepron njëlloj edhe në Saraj. Madje paraqitën edhe fotografi nga një ndërtesë për të cilën pohojnë se është ndërtuar pa leje. Arsovska arsyetohet se nuk kanë kompetenca për të vepruar në Saraj.
“Për atë që kërkon të veproj në Saraj, është njëlloj si të kërkosh të shkoj në Manastir apo Tetovë, atje për fat të keq nuk kemi kompetenca për objektet pa leje. Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca në Saraj sepse ligji është për ndërtime deri në vitin 2011, ndërsa Saraji hynë në planin e përgjithshëm urbanistik në vitin 2012”, ka sqaruar Arsovska.
Sipas të dhënave që publikoi drejtori i inspektoratit për urbanizëm, Zuhejr Rexhepi, e para në listë në nivel shteti për objekte pa leje, prinë Gazi Baba me 10,934 objekte, Gostivari 8878 objekte, Prilepi 8500, Tetova 8200, Struga 7674, Ohri 7589, Likova 5103 ndërsa Çairi ndodhet e 19ta me 3158. Në nivel të Qytetit të Shkupit, Çairi radhitej i gjashti për numrin e objekteve pa leje. /Alsat/