MPB mohoi akuzat për përgjim: bëhet fjalë për softuer forenzik, jo për spiunazh

    Partia opozitare LSDM ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) se po rikthen praktikat e përgjimit politik, përmes furnizimit me softuerë të dyshimtë të përdorur për ndjekje dhe spiunazh. Nënkryetari i LSDM-së, Metodija Ilievski, në një konferencë për media, deklaroi se MPB-ja ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 150 mijë euro për blerjen e softuerëve “Celebright Insights Pro” dhe “NoviSpy”, që sipas tij, janë mjete të përdorura për ndjekjen e gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë, përcjell Nistori.

    “Në fillim të majit të këtij viti, Ministria e Brendshme ka nënshkruar marrëveshje për furnizimin e një softueri i cili shfrytëzohet për përgjim dhe spiunazh të pajisjeve telefonike. Ndjekja dhe përgjimi i gazetarëve, aktivistëve dhe disidentëve politikë, a janë target të MVRO-VMRO. Softueri “Celebright Insights Pro” si dhe “NoviSpy” janë mjete të zhvilluara për nevojat e Agjencisë Serbe të Informacionit të Sigurisë – BIA. Problematike është se në mediat botërore dhe në njoftimet zyrtare të Google, ky softuer thuhet se është përdorur për të monitoruar gazetarët dhe aktivistët”, tha Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.

    Por Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar menjëherë duke i hedhur poshtë pretendimet si të pavërteta. Në një deklaratë zyrtare, MPB thekson se softuerët në fjalë nuk përdoren për përgjim, por janë mjete standarde për forenzikë digjitale, të certifikuara dhe të përdorura nga shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare.

    Megjithatë, nga Qeveria të dielën demantuan informacionin. Zëdhënësja Marija Miteva, theksoi që softuerin që e përmendin sot LSDM, vetë e kanë blerë kur kanë qenë në pushtet, ndërsa tani vetëm po furnizohen licenca e asgjë më tepër. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut mbetet e varur nga importi i produkteve bujqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë