Në Kumanovë, pas çdo nate të zhurmshme në lokalet e qytetit, fshihet një realitet më pak i dukshëm, si punëtorë që punojnë pa kontrata, pa sigurime dhe jashtë çdo mbrojtjeje ligjore. Në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe sezonit të verës, janë të shumtë të rinjtë që punësohen në mënyrë të paligjshme, për orë të gjata, shpesh me paga të ulëta dhe pa asnjë garanci. Kjo situatë nuk është e panjohur për autoritetet, por vetëm herë pas here ajo del në sipërfaqe përmes ndonjë aksioni të organizuar nga institucionet përkatëse.
Një rast i tillë ndodhi së fundmi, më 4 qershor të këtij viti, kur Departamenti i Punëve të Brendshme në Kumanovë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, zhvilloi një kontroll të përbashkët në disa objekte hoteliere në qytet. Policia njoftoi se gjatë një kontrolli nate në tre lokale në Kumanovë, u konstatuan shkelje të ligjit për ushqim dhe punë, për të cilat u vendosën gjithsej 10 gjoba ndaj bizneseve dhe individëve.
“Policia dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Punës kryen një inspektim të objekteve hoteliere në Kumanovë, shtatë gjoba u shqiptuan personave juridikë dhe fizikë që vepruan në kundërshtim me Ligjin për Ushqim dhe tre nga Inspektorati Shtetëror i Punës. Kontrolli është kryer mes orës 20:00 dhe 04:00 të mëngjesit në tre objekte hotelerike në zonën e Shërbimit Shtetëror të Kumanovës. Gjatë kontrollit u identifikuan 15 persona, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut vendosi shtatë gjoba ndaj personave juridikë dhe fizikë që punuan në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ushqim, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës vendosi tre gjoba”, njoftoi policia.
Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, rreth gjysma e lokaleve në Maqedoninë e Veriut operojnë pa licenca të vlefshme, ndërsa më së shumti parregullsi janë konstatuar në qytete si Shkupi dhe Tetova, por edhe në zona të tjera me zhvillim të lartë të shërbimeve të natës. Kjo situatë i vendos punëtorët në një pozitë tejet të pasigurt, ata janë të padukshëm në sytë e shtetit dhe të pambrojtur përballë shfrytëzimit. Për më tepër, mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore në këto objekte përbën një rrezik të drejtpërdrejtë edhe për konsumatorët.
Në shumë raste, kontrollet tregojnë mungesë të kushteve higjienike, përdorim të produkteve me afat të skaduar ose ruajtje të gabuar të ushqimit. Të gjitha këto, të kombinuara me mungesën e kontrollit të rregullt dhe efektiv nga ana e institucioneve, e kthejnë këtë sektor në një zonë të lirë për shkelje ligjore.
Ndryshe, në vend që të funksionojë si një motor i zhvillimit lokal dhe punësimit të të rinjve, gastronomia në Kumanovë dhe qytete të tjera të vendit po shndërrohet në një sektor informal ku ligji zbatohet me përzgjedhje. Prandaj, aksione të tilla si ai i fundit në Kumanovë janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme. /Koha/