Rritet prania e lypësve në Dibër: policia me aksione ndaj keqpërdorimit të fëmijëve

    Vitet e fundit, prezenca e lypësve nga qytete të tjera të vendit është rritur ndjeshëm, sidomos gjatë festave fetare dhe gjatë verës, kur në Dibër dhe fshatrat përreth kthehen mërgimtarët. Kështu ndodhi edhe këto ditë, kur në prag të festës së Kurban Bajramit, arriti një numër i madh lypësish nga Prilepi, Velesi, Shtipi dhe qytete të tjera.

    Lypësit janë të pranishëm në oborret e xhamive, në rrugët kryesore, para restoranteve, si dhe para objekteve tregtare dhe furrave të bukës. Kësaj radhe, institucionet kompetente kanë ndërmarrë aksione në përputhje me ligjin, sidomos kundër atyre që keqpërdorin fëmijët, duke i detyruar të lypin.

    Lypësit, kryesisht gra dhe fëmijë, janë të mirëorganizuar dhe në orët e mbrëmjes takohen me burrat, të cilët gjatë ditës qëndrojnë në periferi të qytetit. Disa dibranë pohojnë se pas “punës ditore” të lypësve, ata mblidhen me automjete nga burrat e tyre ose nga persona që i organizojnë dhe natën e kalojnë në periferi të Dibrës.

    Banorët vendas shprehin shqetësimin për prezencën e madhe të lypësve, të cilët ushtrojnë aktivitetet e tyre në pjesë të ndryshme të qytetit. Gjatë ditës, nëpër rrugët e Dibrës takohen shumë lypës, të cilët thonë se kanë ardhur nga Velesi, Prilepi dhe qytete të tjera. Ata nuk pranojnë të fotografohen dhe theksojnë se një pjesë e dibranëve janë solidarë dhe japin ndihma për Bajram.

    Njëra prej lypëseve, që u prezantua si Rabie nga Velesi, thotë se varfëria i ka detyruar të lypin. Në pyetjen se pse përfshijnë edhe fëmijët në këtë aktivitet, ajo thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi sipas saj, fëmijët marrin më shumë lëmosha.

    Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, i cili mbulon me aktivitet edhe komunën e Dibrës, aktualisht është në zhvillim një aksion kundër kësaj dukurie. Zëdhënësi i Sektorit, Stefan Dimovski, informoi se aksioni po realizohet në bashkëpunim me përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Dibër dhe me avokatë.

    “Policia e Dibrës ka privuar nga liria D. D. (57 vjeç) nga qyteti i Shtipit, e cila ka detyruar nipin e saj, një të mitur, të lypte në rrugët e Dibrës. Ai është regjistruar duke lypur në rrugën kryesore të qytetit ‘Elena Gjika’. Pas konsultimeve me prokurorin publik, ndaj D. D. dhe N. M. do të ngrihet padi penale, sipas nenit 201 të Kodit Penal, për ‘detyrim dhe maltretim të të miturve’,” tha Dimovski.

    Duke marrë parasysh se aksioni është ende në vazhdim, pritet që institucionet këtë herë të arrijnë të ndalojnë këto aktivitete të jashtëligjshme që zhvillohen nga lypësit. Aksioni duket se po jep rezultate, pasi ata që vazhdojnë të lypin, tashmë e bëjnë me më shumë kujdes, për të mos u vënë re nga përfaqësuesit e policisë dhe të institucioneve të tjera kompetente.

    Vala e re e prezencës së lypësve nga qytete të tjera në Dibër pritet të vijë me ardhjen e mërgimtarëve nga SHBA-ja dhe shtetet e Bashkimit Evropian, që pritet të arrijnë në fillim të muajit korrik. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kumanova në listën e shkeljeve në gastronomi

    Lajmi i rradhës

    Autostrada Kërçovë-Ohër në ‘garë’ me sezonin veror!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë