Dibra është përfshirë në projektin mbarëkombëtar “Thirre vendin tënd” të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili ka për synim ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe afrimin e studiuesve që ofrojnë kërkime me vlerë në terren. Ky është një projekt me domethënie të madhe për kujtesën kombëtare në të gjitha trojet shqiptare. Kjo, ndër të tjera, u theksua në tryezën e hapur të organizuar në Dibër nga Shoqata e Historianëve Dibranë, në bashkëpunim me organizatoret e projektit: profesoreshat nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Merita Sauku-Bruci dhe nga Instituti i Antropologjisë, Prof. Dr. Ledi Shamku Shkreli, të cilat ndanë këtë nismë me intelektualët dibranë.
Prof. Dr. Merita Sauku-Bruci theksoi se ky projekt kombëtar po realizohet edhe në trevat e të dy Dibrave. “Dy Dibra fizike, por një Dibër e vetme në shpirt dhe në dëshira për bashkëpunim. Projekti ‘Thirre vendin tënd’ po përhapet gjithnjë e më shumë në çdo cep të Dibrës, duke zgjuar kujtesën, gjuhën dhe identitetin tonë”, u shpreh ajo, duke shtuar se aktiviteti ka një domethënie jashtëzakonisht të madhe për ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Toponimet dhe analizat për rrënjët e tyre kanë vlera jetike, pasi përmes tyre zbulohet baza e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Prof. Dr. Ledi Shamku-Shkreli bëri thirrje që edhe dibranët në të dy anët e kufirit të angazhohen në aktivitete për grumbullimin e toponimeve.
“Le të bashkohemi për të ruajtur të folmen dibrane, toponimet e vjetra dhe pasurinë tonë gjuhësore që na bën krenarë. Kërkimet shkencore ruajnë identitetin kombëtar. Me këtë projekt të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të hedhim dritë mbi fjalët, historitë, toponimet dhe dialektet shqiptare, këndej dhe përtej kufirit”, tha ajo.
Përfaqësuesi i Komunës së Dibrës, z. Maliq Disha, theksoi se Dibra do të angazhohet seriozisht në këtë projekt dhe do të japë kontributin e saj. Ndërkohë, kryetarja e Shoqatës së Historianëve Dibranë, znj. Qëndresa Paçuku, u bëri thirrje dibranëve që të japin maksimumin në grumbullimin e toponimeve të vjetra dhe të marrin pjesë aktivisht në këtë nismë.
Poeti dhe publicisti dibran Nuri Koleci, në fjalën e tij në tryezën e hapur, theksoi se vlera e toponimeve është shumë e madhe dhe se në të kaluarën ato janë shtrembëruar nga pushtuesit.
“Dibrën filluan ta quajnë Debar, edhe kur flitej shqip. Por e vërteta gjithmonë del në dritë. Toponimet e kësaj ane janë origjinale shqiptare”, tha Koleci. Në të njëjtën linjë ishin edhe pjesëmarrës të tjerë në tryezë, si nga Dibra e Madhe, ashtu edhe nga Dibra e Vogël (Peshkopia). U kërkua bashkëpunim edhe me institucione të tjera, me qëllim që projekti të ketë sukses dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Në këtë aktivitet pritet të përfshihen edhe shkollat e zonës. /Koha/