Tarifa për pagesën e një mandati pagese në sportel, për mbajtjen e një llogarie mujore, për transaksion tjera, kostoja për përdorimin e bankës elektronike kërkesa për kredi… këto shuma ndryshojnë në banka të ndryshme, mirëpo përgjatë vitit sjellin fitime jo të vogla për bankat. Ndër faktorët më të rëndësishëm të fitimeve të larta të bankave, ndër të tjerash, përskaj dallimit midis kamatave të kursimeve dhe kredive apo atyre aktive dhe joaktive, janë edhe komisionet dhe kompensimet e ndryshme. Nga ana tjetër, ata kanë shpenzime për punë administrative, paga, amortizime, sigurime, dëmshpërblime, taksa dhe kosto të tjera.
Partia e Pensionistëve shpreh shqetësim të madh dhe gjithashtu i vë në dukje bankave tarifat dhe komisionet e larta për shërbimet bazë bankare, të cilat sipas tyre, janë padyshim më të lartat në rajon.
“Kjo është arsyeja pse Partia e Pensionistëve i bën thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të miratojnë një ligj për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në shërbimet bazë bankare, pra duke i përjashtuar qytetarët nga pagesa e komisioneve për shërbimet bazë bankare, të tilla si, ndër të tjera, pagesa e faturave të shërbimeve”, thuhet në deklaratë.
Qëllimi, sipas Partisë së Pensionistëve, është t’u mundësohet të gjithë qytetarëve, dhe veçanërisht pensionistëve dhe të gjitha kategorive të tjera të cenueshme, qasje në shërbimet financiare bazë pa kosto shtesë.
“Kjo do të thotë që bankat nuk do të lejohen më të ngarkojnë komisione për shërbimet bazë nëse përdoruesi merr një pagë, pension ose të ardhura të tjera të rregullta në llogarinë e tij. Kjo do të thotë që pensionistët dhe kategoritë e tjera të cenueshme do të jenë në gjendje të tërheqin para në sportelet dhe bankomatet e të gjitha bankave pa komision. Për më tepër, vërejmë se në disa vende të rajonit, bankat nuk ngarkojnë tarifa për hapjen, mbylljen, mirëmbajtjen e llogarive të pagesave, si dhe për shërbime të tjera bazë bankare”, thonë nga Partia e Pensionistëve.
Pritej që Ligji i ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, i cili hyri në fuqi në fillim vitit 2023, të rrisë konkurrencën dhe të kontribuojë në uljen e çmimeve të shërbimeve, mirëpo efektet akoma nuk po shikohen sa duhet.
Ligji lejon që, përveç bankave, bankat e kursimeve dhe kompanitë e tjera që marrin një licencë nga Banka Kombëtare të ofrojnë shërbime pagesash. Faturat mund të paguhen edhe te këto kompani ose agjentët e tyre, kështu që teorikisht është e mundur të paguhet për energjinë elektrike dhe ujin në një dyqan ushqimesh ose supermarket.
Duke filluar nga shtatori i vitit 2023, Banka Kombëtare po publikon çmimet për shërbimet e pagesave më të përdorura në të gjitha bankat, në mënyrë që qytetarët të mund t’i krahasojnë ato dhe të vendosin se ku është më fitimprurëse për ta. Këto shërbime përfshijnë mirëmbajtjen e llogarisë, bankën elektronike, pagesën e faturave, hyrjen nga jashtë vendit, lëshimin e kartave, urdhër përhershëm, tërheqjen e parave të gatshme dhe mbitërheqjen. Gjithashtu, në fund të vitit, bankat duhet t’u japin klientëve një raport se sa para kanë ngarkuar në tarifa gjatë vitit.
Analiza e përgjigjeve nga bankat dhe kursimoret ndaj Pyetësorit të Mbrojtjes së Konsumatorit së para dy viteve tregon se bankat/kursimoret nuk kanë një metodologji të brendshme për përcaktimin e komisioneve për produkte/shërbime individuale bankare, por citojnë akte të brendshme që tregojnë qasjen për përcaktimin e llojit të komisioneve për produkte dhe shërbime individuale.
“Në shumicën e rasteve, lloji i komisioneve përcaktohet gjatë hartimit të vetë produktit/shërbimit. Në përgjithësi, niveli i komisioneve përcaktohet në përputhje me konkurrencën, hulumtimin e tregut dhe të ardhurat dhe shpenzimet e bankës. Bankat kryesisht i rishikojnë komisionet një ose dy herë në vit, por edhe më shpesh (çdo tremujor), varësisht nga nevojat e bankës, konkurrenca dhe ndryshimet rregullatore. Të gjitha bankat dhe kursimoret theksojnë se shpesh prezantojnë periudha promovuese gjatë të cilave jepet një zbritje e caktuar ose disa komisione nuk ngarkohen”, thuhet më tej në Analizën e përgjigjeve nga bankat dhe kursimoret ndaj Pyetësorit të Mbrojtjes së Konsumatorit.
Nga ana tjetër, vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2024, nga tre bankat më të mëdha, NLB Banka ka realizuar shumën më të madhe të të ardhurave nga komisionet dhe tarifat – 30 milionë euro, që është 2.7 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Banka Komerciale gjeneroi të ardhura nga komisionet prej 27.9 milionë eurosh, një rritje prej 13.9 për qind. Stopanska Banka gjeneroi të ardhura nga komisionet dhe tarifat në të njëjtën periudhë prej 19.9 milionë eurosh, që është 4.9 për qind më shumë se në periudhën janar-shtator 2023.
Në vitet e kaluara ka pasur disa angazhime për të zvogëluar kompensimet dhe komisionet bankare, por ato kanë mbetur vetëm në letër.
Në mandatin e kaluar, deputetët e së Majtës paraqitën një ligj për të kufizuar dhe ulur ndjeshëm kostot bankare. Megjithatë, ai u bllokua nga koalicioni i gjerë i VMRO-DPMNE-së dhe LSDM. Kjo zgjidhje ligjore ishte për të ulur komisionet dhe tarifat dhe për t’i kufizuar ato, në mënyrë që këto kosto në dukje “të parëndësishme” të mbeten në buxhetin e qytetarëve. /Koha/