Çerdhja “Breshia” në Dibër rrezikon të mbetet pa staf

    Çerdhja “Breshia” në Dibër, e cila ka arritur suksese të shumta me projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos ato të programit Erasmus+, si dhe me standardet e larta që ka përmbushur, edhe pse konsiderohet një nga çerdhet më të suksesshme në vend, nuk po përfillet sa i përket punësimit të 16 punonjësve që kanë qenë të angazhuar me kontrata për pesë vite. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim jo vetëm tek punonjësit e përfshirë, por edhe në institucionet lokale dhe në mbarë komunitetin dibran. Në kohën kur pritet të fillojë funksionimi i aneksit të ri të objektit të çerdhes “Breshia”, ekziston rreziku që institucioni të mbetet pa kuadrin e nevojshëm, pasi më 30 qershor përfundon afati i kontratës për të punësuarit.

    Udhëheqësia e çerdhes ka reaguar ashpër ndaj mungesës së mbështetjes nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila ende nuk ka dhënë miratimin për punësimin e përhershëm të personave që kanë punuar me kontrata afatshkurtra. Sipas drejtoreshës së çerdhes “Breshia”, Ajrie Daçi, çerdheve në Tetovë u janë dhënë 40 vendime për punësim, në Strugë 5, në Çair 3, ndërsa në Dibër asnjë. Për më tepër, është njoftuar se për vitin 2025 nuk janë planifikuar mjete buxhetore për këtë institucion.

    “Kjo është krejtësisht e padrejtë. 13 punonjës me kontratë dhe 3 të tjerë përmes Agjencisë do të mbeten pa punë, ndërkohë që ne si udhëheqësi do të mbetemi pa edukatore dhe staf ndihmës të domosdoshëm për funksionimin e institucionit. Këta janë punonjës pa të cilët nuk mund të realizojmë procesin edukativ”, deklaroi Daçi për gazetën Koha.

    Ajo shtoi se në çerdhe aktualisht janë të regjistruar 400 fëmijë, të cilët kërkojnë kuadër adekuat.

    “Reagimet e punonjësve me kontratë janë të shumta, pasi ata për pesë vite kanë dhënë maksimumin e tyre, kanë sjellë rezultate konkrete dhe kanë marrë paga mujore prej vetëm 8 mijë denarësh. Ministria duhet t’i marrë seriozisht këto çështje”, theksoi drejtoresha.

    Ky problem u diskutua edhe në seancën e fundit të Këshillit Komunal në Dibër, ku drejtoresha Daçi mori përkrahje nga shumica e anëtarëve të këshillit. U theksua gjithashtu se Ministria nuk ka dhënë miratim as për pajisjen dhe mobilimin e objektit të ri të aneksit, gjë që u vlerësua si veprim tendencioz.

    Megjithatë, pati edhe reagime nga disa këshilltarë të opozitës lokale nga koalicioni VLEN, të cilët pohuan se institucioni ka angazhuar persona me kontratë pa pasur mundësi t’i punësojë me vendime të përhershme. Po ashtu, ata kërkuan sqarime nga drejtoresha lidhur me menaxhimin e mjeteve që çerdhja i merr nga pagesat e prindërve për regjistrimin e fëmijëve.

    Pushteti vendor në Dibër vlerëson se Ministria duhet t’i ketë parasysh të gjitha këto aspekte. Ata theksuan se për 400 fëmijë është e domosdoshme të ketë staf të mjaftueshëm dhe të kualifikuar, si dhe të mundësohet dhënia e vendimeve të punësimit për punonjësit aktualë. Tani, kur nga shtatori pritet të vihet në funksion edhe aneksi i ri, përveç dy objekteve ekzistuese, është e domosdoshme që të jepet drita jeshile për punësimin e stafit që ka qenë i angazhuar me kontrata.

    Vlen të theksohet se në vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve, duke arritur për herë të parë në 400 – një rekord për këtë institucion parashkollor.

    Lajmi Paraprak

    Fitimi i shtetësisë gjermane arrin rekord në vitin 2024

    Lajmi i rradhës

    KUSH DO T’I PËRFAQËSOJË PUNËTORËT? / Numërohen sindikatat, ulet pragu i përfaqësimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë