“TVSH-ja ime”, aplikacioni shtetëror për rimbursimin e një përqindjeje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, para gjashtë viteve synonte t’i inkurajonte qytetarët të kërkonin faturë për çdo blerje dhe për të kthyer një pjesë të tatimit në xhepin e tyre. Por gjatë këtyre viteve, gjithnjë e më shumë qytetarë ndihen të lodhur nga kjo masë, e cila në praktikë kërkon një përkushtim të përditshëm për një përfitim shumë të vogël. Rregulli është se çdo qytetar ka të drejtë të përfitojë deri në 2.100 denarë në tremujor, nëse skanon me kohë dhe pa vonesë të gjitha faturat, por për të arritur këtë shumë, duhet të bëjë blerje që në shumë raste i kalojnë 120,000 denarë në tre muaj dhe të skanojë mbi 200 fatura.
Në realitet, përqindja që kthehet si rimbursim është shumë e ulët në krahasim me tatimin e paguar. Shumica e qytetarëve nuk arrijnë asnjëherë të marrin shumën maksimale, ndërsa aplikacioni shpeshherë është i ngadalshëm, me probleme teknike, ose përpunon me vonesë faturat. Qytetarët raportojnë se për të marrë 2.100 denarë, që në vlerë reale nuk mbulon as çmimin e një mbushjeje karburanti, është dashur të skanojnë qindra fatura për shpenzime të ndryshme në markete, farmaci apo pika shitjeje të zakonshme.
Edhe pse sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), kthimi i TVSH-së bëhet çdo tremujor, qytetarët gjithnjë e më shpesh raportojnë se pagesat vonohen edhe më shumë, duke kaluar në muajin e katërt apo të pestë pas periudhës përkatëse.
Vetë të dhënat e përpunuara nga përdorues të rregullt tregojnë një pamje domethënëse të këtij disproporcioni. Në një nga rastet, qytetarja kishte skanuar 184 fatura me një qarkullim total prej 125,286 denarësh dhe në fund përfitoi vetëm 1.770 denarë. Pra, pavarësisht përpjekjes, përfitimi mbetet minimal.
“Kam skanuar 184 fatura për tre muaj, që do të thotë rreth 60 në muaj dhe në fund mora vetëm 1.770 denarë. Nuk është fjala vetëm për shifrën, por për kohën dhe përpjekjen. Për disa muaj hoqa dorë, pasi mbeta e habitur kur pashë se për të marrë 2.100 denarë më është dashur të skanoj mbi 200 fatura dhe të kaloj qarkullim prej mbi 130.000 denarësh. Dhe më keq që paratë më kanë ardhur pas më shumë se pesë muajve. Mirëpo përsëri fillova sepse mendoj që kjo është ajo që duan ata, pavarësisht se asnjëherë nuk po arrij t’i mbush, vetëm kur më dërgon dikush ndonjë”, tha Arta Ajruli.
Ndërsa, Drita nga Kumanova e cila e përfundoi skanimin e faturave tremujore tha se iu deshën 97 fatura me një qarkullim total prej 163 mijë denarëve.
“I ruaj faturat me kujdes, por nuk arrij t’i skanoj të gjitha. Ndonjëherë nuk funksionon as aplikacioni. Për pak para, duhet të jesh teknik, i duruar dhe me nerva të forta. Zakonisht mi sjellin familjarët dhe shoqëria nga blerjet që bëjnë e që nuk i skanojnë faturat, por është një procedurë e lodhshme, më duket sikur po aplikoj në komunë për të kërkuar një dokument”, theksoi ajo.
Sot, shumë qytetarë vazhdojnë të skanojnë fatura, ndoshta më shumë nga rutina apo ndjesia e mos-humbjes, sesa nga besimi se do të përfitojnë realisht diçka. Të tjerë tashmë e kanë lënë sistemin krejtësisht, duke menduar se për një shumë kaq të vogël, nuk ia vlen të grumbullosh qindra fatura dhe të presësh me muaj të tërë për rimbursim. Ndryshe, masa “TVSH-ja ime” filloi më 1 korrik 2019 , me të cilën qytetarëve u rimbursohet 15 për qind e TVSH-së së paguar, me qëllim rikuperimin e një pjese të parave dhe uljen e ekonomisë informale. /Koha/