Komunist që në adoleshencë, si e “ndëshkoi” partia e tij shkrimtarin çek Milan Kundera

    Milan Kundera është shkrimtari i njohur i Çekisë dhe një nga shkrimtarët më të njohur të kohës.

    Me origjinë çeke, ai jetoi që prej vitit 1975 në Francë dhe në vitin 1981 u bë një francez i naturalizuar. Ai e konsideronte veten francez dhe këmbëngulte që puna e tij të njihet e të studiohet si literaturë franceze. Njihet si autor i shumë veprave, si: Shakaja, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies. Libri Shakaja ka në qendër studentin Ludvik, i cili bën një shaka, e cila nis me një pusullë sarkastike dërguar një bashkëmoshatareje bukuroshe, që s’e kupton shakanë dhe e merr shumë seriozisht. Ludvik përjashtohet nga partia, braktis studimet, punon në minierë dhe për një shaka, jeta e tij merr një drejtim tjetër. Librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni Velvet në vitin 1989. Kundera jetoi në Francë prej vitit 1975 dhe ka fituar nënshtetësinë Franceze më 1981.

    Lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëm Leos Janaçek. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Me vonë Kundera studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund te gjenden në shumë vepra të Kunderës. Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqendrua në regjisurë dhe skenografi.

    Më 1950 Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dyte Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardh e zi të botës tek ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhoje, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve Marksiste dhe te anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950 bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij “Lumturia ra mbi ta” ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë “Shakaja”, 1967.

    Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956. Më 1970 ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Vaclav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989). U nda nga jeta më 11 korrik 2023 në Paris. Milan Kundera ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare, pas një sëmundje e cila e kishte munduar për një kohë të gjatë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pse duhet të mbani syze dielli sa herë që dilni jashtë

    Lajme tjera

    Anës Lumenjve

    Fan Noli Arratisur, syrgjynosur,Rraskapitur dhe katosurPo vajtonj pa funt, pa shpresë,Anës Elbë-s, anës Spree-së.Ku e lam’ e ku…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë