Përgjegjësinë për tragjedinë në Koçan, Mickoski synon ta masë me vota, jo me vepra!

    Kryeministri Hristijan Mickoski, e lë në dorë të popullit verdiktin për përgjegjësinë e tij politike lidhur me tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan. Ai paralajmëron dorëheqje nëse në zgjedhjet lokale qytetarët “e dënojnë me votë”. Ai e deklaroi këtë, duke iu përgjigjur akuzave për përgjegjësi në këtë tragjedi që LSDM i ka drejtuar së fundmi. Mickoski vlerëson se këto janë vetëm akuza për pikë politike.

    “Përgjegjësinë do ta shohim për 3 muaj e gjysmë, apo 4 muaj prej sot, në zgjedhjet lokale, se çfarë mendojnë qytetarët. Ajo që mendon LSDM është një punë, ndërsa ajo që e mendojnë qytetarët do ta shohim shumë shpejt në zgjedhje. Kështu që nëse qytetarët vlerësojnë se unë duhet të largohem dhe të mbaj përgjegjësi politike, në ditën e njëjtë do ta bëj këtë, nuk do të pres siç ishte në vitin 2021, por e di se qytetarët nuk e ndajnë të njëjtin mendim me LSDM-në dhe të tjerët”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

    LSDM disa ditë me radhë akuzon pushtetin se e ka kompromentuar hetimin dhe se ka shkatërruar prova të rëndësishme gjatë hetimit, me qëllim mbrojtjen e funksionarëve të saj, ndërsa si përgjegjës të drejtëpërdrejtë kanë akuzuar kryeministrin Mickoski, ministrin e brendshëm Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

    “Hristijan Mickoski nga ana tjetër keqpërdori tragjedinë për sulme politike, gënjeu me vetëdije, manipuloji prindërit, publikun, ndërkohë që fajtorët e vërtetë nga qeveria e tij ishin të mbrojtur. Pa përgjegjësi për Janevin, Toshkovskin dhe Mickoskin – nuk ka drejtësi për Koçanin. Dhe pa drejtësi, nuk ka paqe për prindërit, qytetarët dhe shtetin”, thonë nga LSDM.

    Reagime ka edhe nga opozitarja BDI. Nga atje akuzojnë për drejtësi selektive dhe aksion të motivuar politikisht, për faktin se prokuroria ngriti akuzë ndaj dy ish ministrave të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini lidhur me këtë rast. Nga BDI thonë se me mbrojtjen e funksionarëve të pushtetit, prokuroria e ka humbur besueshmërinë.

    “Kjo drejtësi selektive dhe aksion qartë i motivuar politikisht paraqet edhe një dëshmi se prokuroria jo vetëm që e ka humbur pavarësinë e saj, por është bërë një instrument i persekutimit politik dhe inxhinierisë zgjedhore. Qëllimi është i qartë: të ndikohet direkt mbi zgjedhjet lokale dhe heshtjen e mediave kritike përmes targetimit të personave të theksuar dhe të zëshëm të etnisë shqiptare. Prokuroria tërësisht e ka humbur besueshmërinë me atë që i mbron funksionarët e pushtetit”, deklaruan nga BDI.

    Një ditë më parë Prokuroria Publike ka ngritur akuzë kundër 37 personave fizikë dhe juridikë për tragjedinë në Koçan. Në akuzë për vepra të rënda kundër sigurisë mbeten dy ish ministra të ekonomisë, tre ish kryetarë të Koçanit, pronari i objekti, pronari i kompanisë, inspektor ndërtimorë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror. Procedura u ndërpre për dy ish ministrat e ekonomisë, Driton Kuçi dhe Bekim Neziri. Ndërkohë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini do të jenë nën hetim. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Mbështetje për bujqësinë, të blejmë produkte vendore”

    Lajmi i rradhës

    Rruga Radishan-Stajkovc, ankth për shoferët, por moskokëçarje për autoritetet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë