Kështu e pësojnë veturat të cilat shfrytëzojnë korsinë e dytë në aksin rrugor Radishan – Stajkovc.
“Shoferët të cilët shfrytëzojnë autostradën nga Radishani deri në Stajkovc, e kanë patjetër që të shfrytëzojnë ose korsinë e majtë ose korsinë ndihmëse. Kjo për arsye se korsia në mes, është thuajse tërësisht e shkatërruar”, raportojnë nga Alsat.
Kjo gjendje në këtë aks rrugor nuk është situatë tani e krijuar, por kështu qëndron me vite. Nga “Rrugë Shtetërore” janë munduar që disa prej tyre t’i mbulojnë, por kjo nuk mjafton. Drejtori i ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore”, Koce Trajanovski, për Alsat e pranon se gjendja në këtë aks rrugor nuk është e mirë. Planifikohet rikonstruimi, por se kur nuk ka një afat.
“Për këtë ne parashohim që të bëjmë projekt dhe me këtë projekt të kemi rikonstruim të tërësishëm të këtij seksioni. Ky projekt mund të jetë edhe pjesë-pjesë, që të mundet më shpejtë për ato që janë më akute, më problematike, aty ku më së shumti është i dëmtuar asfalti, ato të kenë prioritet. Kjo është një prej prioriteteve tona më të mëdha, edhe këtu edhe trekëndëshi Hipodrom-Milladinovc-Petrovec”, tha Koce Trajanovski – Drejtor i NP “Rrugë Shtetërore”.
Ashtu siç njoftoi Trajanovski, infrastruktura në gjendje të vështirë është edhe në dalje dhe hyrje të Hipodromit, apo zonës industriale. Megjithatë, edhe kur të vijë koha e rikonstruimit të plotë të këtij trekëndëshi, Trajanovski thotë se të hollat duhet të sigurohen përmes borxhit apo kredisë.