Ndonëse partitë politike ende nuk i bëjnë të ditur kandidatët për komuna, megjithatë jozyrtarisht po përmenden disa emra.
Përveç Visar Ganiut, nga VLEN për Çairin mund të kandidojë Izet Mexhiti, derisa është biseduar edhe për Kaltrina Zekollin.
I pyetur se a do të jetë ai kandidati për Çairin, Mexhiti tha:
“Për momentin VLEN ka angazhuar agjenci serioze për anketim, në çdo komunë ku gravitojnë shqiptarët – janë diku 16 komuna. Anketat do të na japin orientimin për kandidatët, pra nuk flasim për emra të përveçëm”.
Nga Fronti Europian, emri i parë që flitet jozurtarisht për Çairin është Bujar Osmani, ndërsa në lojë është edhe Abdylselam Selami. Nga ky koalicion thonë se së shpejti do të ketë vendim.
“Në kuadër të Frontit janë zhvilluar bisedimet për kandidatët për kryetar komunash, së shpejti do të ketë një zgjidhje”, tha Skender Rexhepi, kryetar i Lëvizjes Populli.
Në komunën e Likovës lakohet emri i kryetarit aktual Erkan Arifi nga radhët e BDI-së, i cili është në përfundim të mandatit të dytë. Ndërkaq nga VLEN përmenden Iljasa Abazi, kryetar i degës së Altërnativës – Likovë dhe Mustafa Veseli nga LD.
Në Saraj përfliten emrat e Blerand Ramadanit nga ASh e Taravarit, nga BDI Blerim Bexheti por edhe Rafiz Aliti, ndërsa nga VLEN Muhamet Elmazi i cili është drejtor ekzekutiv në Nomagas dhe Orhan Murtezani i cili është ministër aktual për Çështje europiane.
Në Tetovë përfliten Bajram Rexhepi dhe Faton Ahmeti nga BDI, por nga Fronti Europian mund të kandidohet edhe Ilir Demiri, Ash krahu i Selës. Sa i përket VLEN për një mandate të dytë pritet të kërkojë votat e qytetarëve, kryetari aktual, Bilall Kasami.
Për komunën e Gostivarit, BDI ka gjasa ta nxjerr Valdet Xhaferin, ndërsa VLEN të mbështesë ekonomistin Visar Ademi. Nga ASH Taravari mund të kandidohet vet Taravari ose Valbon Limani.
Në Kërçovë për kryetar dihet që do garojë Shkodran Alili si kandidat i pavarur, ndërsa Fatmir Dehari pritet të jetë kandidat i BDI-së për të tretën herë. VLEN ka gjasa të garojë me Fatmir Limanin.
E në Strugë lakohet emri i afaristit Mendi Qyra si kandidat i VLEN-nit dhe Zijadin Sela nga Fronti Europian.
Ndryshe zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në tetor të këtij viti. /TV21/