ASh e Taravarit denoncoi aferën kriminale me ‘Monopolin’ historik në Tetovë

    Tetova është tronditur sërish nga një tjetër skandal që lidhet me pronën publike dhe trashëgiminë historike të shqiptarëve. Objekti i ish-Monopolit, një hapësirë me rëndësi të thellë historike dhe simbolike, po shndërrohet në një shembull klasik të përvetësimit të pronës publike për motive korruptive – sipas një reagimi zyrtar të Aleancës për Shqiptarët.

    “Ish-Monopoli nuk është thjesht një ndërtim industrial. Është një pikë referimi historik për popullin shqiptar: në nëntor të vitit 1944, mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan këtu dhe qindra prej tyre, u masakruan në një nga faqet më të errëta të historisë sonë kombëtare. Po këtu, dekada më vonë, nisi edhe rrugëtimi i arsimit të lartë shqip – Universiteti i Tetovës, që e pati Monopolin si një ndër strehat e parë të tij,” thuhet në deklaratën e partisë opozitare.

    Sipas tyre, sot kjo hapësirë po shkatërrohet në mënyrë jotransparente dhe me pasoja të rënda për qytetarët.

    “Procesi i prishjes së tij po realizohet në mënyrë të paqartë dhe jotransparente, duke neglizhuar standardet mjedisore dhe rreziqet për shëndetin publik – për shkak të pluhurit dhe materialeve të dëmshme që qarkullojnë në ajër pa asnjë masë mbrojtëse për qytetarët.”

    Në qendër të akuzave ndodhet kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    “Sipas informacioneve zyrtare, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik, duke e kategorizuar atë si zonë ndërtimore – çka ka rritur ndjeshëm vlerën tregtare të tokës dhe i ka hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik.”

    Një tjetër detaj shqetësues ka të bëjë me kompaninë që bleu këtë pronë.

    “Kompania që bleu këtë hapësirë është, sipas të dhënave të publikuara, në gjendje të rëndë financiare dhe pranë falimentimit – fakt që vetëm forcon dyshimet për një aferë të mirëfilltë kriminale dhe për favore të dyshimta ndaj investitorëve të caktuar.”

    Por çështja merr përmasa edhe më të rënda. Aleanca për Shqiptarët deklaron se kanë informacione jozyrtare për një zbulim tronditës gjatë punimeve.

    “Gjatë punimeve në këtë hapësirë janë zbuluar edhe eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së Monopolit. Kjo e rëndon edhe më tej situatën dhe e bën urgjente nevojën për ndaljen e punimeve, hetim të thelluar nga organet kompetente dhe verifikimin zyrtar të çdo gjetjeje në këtë vend memorial për kujtesën kolektive shqiptare.”

    Deklarata përmend edhe justifikimin e kryetarit aktual të komunës: “Arsyetimet e Bilall Kasamit janë të papranueshme. Ai thotë se veproi njësoj si paraardhësit e tij. Por qytetarët i kanë dënuar me votë ata, dhe do ta dënojnë edhe atë në zgjedhjet e tetorit.”

    Në deklaratë përmendet edhe momenti politik kur u miratua plani urbanistik i kontestuar. “Vitin e kaluar, së bashku me votat e Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së në Këshillin Komunal të Tetovës, u dha dritë jeshile për ndryshim të Planit Detal Urbanistik.”

    Partia opozitare ngre pyetje të drejtpërdrejta: “A nuk do të ishte më e dobishme për qytetin që në këtë hapësirë të ndërtohej një qendër memoriale? Një bibliotekë universitare, një park i gjelbëruar, një qendër rekreative moderne, një akua-park apo një garazh në kate me funksione publike?”

    Sipas tyre, “Tetova ka nevojë për më shumë hapësira publike, gjelbërim, histori, frymë qytetare dhe vlera evropiane, e jo për më shumë beton dhe objekte shumëkatëshe private, që vetëm sa e ngulfatin qytetin dhe u shërbejnë grupeve të interesit, jo komunitetit.”

    Në fund të komunikatës, Aleanca për Shqiptarët kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet: “Aleanca për Shqiptarët dënon fuqishëm këtë proces të dyshimtë dhe kërkon nga institucionet përkatëse hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi konkrete.”

    Lajmi Paraprak

    Kupchan: pas dështimeve globale, Trump mund t’u kthehet Kosovës dhe Serbisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë