Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, i është nënshtruar dy herë provimit TOEFL në anglisht, ndërsa kodi i qendrës së testimit ku ai e ka bërë këtë nuk është në Pllovdiv, ku është regjistruar studioja e gjuhëve “Julija”, nxjerr në pah hulumtimi i BIRN.
Pas gjysmë viti beteje ligjore me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me dy refuzimeve dhe dy ankimime, pas një vendimi gjyqësor KSHPK u detyrua t’i lejonte BIRN qasje në lëndën që antikorrupsionerët e zhvillonin kundër drejtorit të shërbimit sekret të Maqedonisë.
Në sallën e mbledhjeve në prani të dy punonjësve të KSHPK-së ne inspektuam dosjen e madhe të gjelbër në të cilën ndodhen dokumentet e siguruara nga antikorrupsionerët. Dosja i përmbante të gjitha materialet që ata i kishin mbledhur për Hristovskin, duke filluar nga diplomat për provimet, vendimet për punësim, e deri te kërkesat për njohjen e provimeve…
Disa prej tyre, si certifikati i gjuhës të cilin ne e analizuam, ishin fotokopje të origjinalit me të dhënat personale të mbrojtura.
Certifikatë përplot me paqartësi
Në shikim të parë, certifikata e gjuhës i Hristovskit, që ka bërë shumë bujë politike dhe interes publik, vizualisht i ngjan formularëve të certifikatës TOEFL që mund të gjenden nëse kërkoni në internet.
Por, disa detaje në të lënë hapësirë për dyshime lidhur me vërtetësinë e tij.
Hristovski pretendon se e ka dhënë testin përmes studios së gjuhës Julija në Pllovdiv, por kodi i qendrës së testimit që është shënuar në certifikat të çon në një qytet tjetër – Sofje. Gjatë inspektimit vumë re se kodi i qendrës së testimit i shënuar në certifikatën e Hristovskit është APCU 8007.
I njëjti numër në Udhëzuesin e Agjencisë së Administratës në Maqedoni, e cila shërben si udhëzues për kontrollin e certifikatave ndërkombëtare të gjuhëve që nga viti 2019, është i shënuar në qendrën e testimit të studios së gjuhëve Sofia Lab 1, të regjistruar në Sofje.
Përveç kësaj, në certifikatën e Hristovskit thuhet se ai e ka dhënë testin përmes programit Fulbright në Bullgari.
Këshilltari për arsim në këtë organizatë në Bullgari, Filip Liapov, në një përgjigje për BIRN konfirmoi se komisioni i ka mbajtur provimet TOEFL, por nuk ka pasur asnjë kontakt me studion e gjuhëve “Julija” në Pllovdiv. Pastaj, kodi i qendrës është TC 8007, i cili është ndryshe nga kodi në certifikatën e Hristovskit.
Sipas certifikatës, të cilin e inspektoi BIRN, Hristovski i është nënshtruar provimit të ashtuquajtur Special Home Edition. Këtij testi personi mund t’i nënshtrohet nga shtëpia, por në kushte të rrepta. Në intervistën për emisionin “360 Gradë”, ai tha se provimin e ka dhënë përmes studios së gjuhëve “Julija” në Pllovdiv, sepse, siç tha ai, kjo ishte mënyra më e shpejtë për të marrë atë diplomë, ndërsa në Bullgari kishte termin të lirë.
Hristovski i është nënshtruar provimit dy herë
Tre pjesëve të provimit, lexim, dëgjim dhe shkrim, Hristovski u është nënshtruar në të njëjtën datë, më 26 mars të vitit 2022, ndërsa pjesës “së të folurit” pesë ditë më parë, pra më 19 mars. Sipas rregulave të ETS-së testi zgjat rreth dy orë për të katër pjesët, ndërkohë që pauzat janë të ndaluara.
Në vetë dokumentin thuhet se rezultatet e certifikatit janë të vlefshme dy vjet, e në këtë rast vlejnë deri më 26 mars të vitit 2024. Hristovski u emërua drejtor në tetor të vitit 2024, pra shtatë muaj pas kësaj date.
Përveç kësaj, në dy faqe të dokumentit të Hristovskit shkruan se bëhet fjalë për një raport të cilin e shtyp personi që i nënshtrohet testit, me shënim se kompania ETS nuk mund të garantojë se dokumenti nuk është ndryshuar, ndërsa janë lënë edhe dy numra telefoni ku mund të kontrollohen rezultatet.
Sistemi i testimit ofron mundësi që vetë kompania ETS t’i dorëzojë zyrtarisht rezultatet e testimit tek institucionet, por ato fusha në certifikatën e Hristovskit janë bosh. Kur ETS dërgon të dhënat kompania e garanton vërtetësinë e të dhënave.
Hristovski ka marrë 75 pikë që është vetëm një pikë më shumë se minimumi i përcaktuar nga Ligji për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.
Në fund të dokumentit shkruan se rezultatet më të vjetra se dy vjet nuk mund të raportohen ose të validohen. Ky ishte një nga argumentet pse prokurori i Shkupit Vlladimir Milloshevski e mbylli lëndën.
Në kumtesën për mbylljen e parahetimeve u theksua se u kërkua ndihmë nga Bullgaria, por jo edhe direkt nga kompania ETS nga SHBA, e cila është e vetmja që i lëshon certifikatet. Kjo u bë në rastin e dy drejtoreshave, të cilat e pranuan fajin e tyre, u dënuan dhe njëra prej tyre e humbi vendin e punës si rezultat i kësaj.
Po, kufizimi i afatit për rezultatet nga teksti në dokument nuk do të thotë që kompania ETS nuk ka të dhëna se kush kur i është nënshtruar testit dhe çfarë rezultati ka arrirë.
Dëshmi për këtë është ajo që sipas rregullave të ETS-së kompania mund t’i zbulojë të dhënat për palë të treta kur bëhet fjalë për “proces ligjor”, e këtu bëjnë pjesë “agjencitë shtetërore, palët në gjykim” ose “nëse janë kërkuar në pajtim me kërkesë gjyqësore.