MARRËDHËNIET SOFJE-SHKUP / Edhe një tentim për hapjen e rrugës drejt BE-së

    Pavarësisht përpjekjeve të diplomatëve evropianë dhe së paku përkushtimit deklarativ të liderëve të BE-së për vazhdimin e procesit të zgjerimit të Unionit me vende të reja anëtare, në kërkimin e një zgjidhjeje për Maqedoninë, javën e ardhshme nuk duhet pritur mrekulli. Shkupi zyrtar nuk duket serioz se kërkon zgjidhje, ndërkohë që Sofja ka përsëritur se kompromis nuk ka!

    Shkup, 20 qershor – Javën që vjen disa gjëra duhet të bëhen më të qarta lidhur me marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare në lidhje me aspiratat e Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    RAPORTI I TOMAS VAJC NË PE

    Përpjekja e parë për miratimin e këtij raporti, më 4 qershor, dështoi, përkatësisht u shty për më 24 qershor, për shkak të presioneve nga eurodeputetët bullgarë, të cilët pretendonin se Vajc kishte pasur “takime të paannuncuara” me autoritetet maqedonase dhe kishte shkelur rregullat e transparencës të Parlamentit Evropian, me çka, sipas tyre, teksti i propozuar është i komprometuar dhe joobjektiv. Por problemi kryesor për ta ishte që në raport pranohej qartë gjuha dhe identiteti maqedonas. Ata kërkuan që para identitetit maqedonas të shtohej fjala “aktual”, gjë që përfaqëson përpjekje për të imponuar tezën se kombi maqedonas është krijuar artificialisht mbi rrënjët e kombit bullgar.

    Në të kundërt, në raportin e Vajcit theksohet nevoja për ruajtjen e momentit dhe kredibilitetit të procesit të integrimit evropian dhe vihet re se vendi vazhdon të tregojë përkushtim ndaj integrimit evropian dhe përshtatje me politikat e BE-së.

    “Parlamenti Evropian bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese; inkurajon të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut të përfshihen në një dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e nevojshëm për këto ndryshime, gjë që do të forconte karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonte përparimin drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në raportin e propozuar nga Vajc, i cili është raportues i PE-së për vendin.

    Çfarë raporti do të miratohet dhe nëse do të miratohet fare, do ta marrim vesh të martën.

    Nisma për takim, në margjinat e samitit të NATO-s, që fillon më 24 qershor, erdhi nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Ishte menduar si një takim mes presidentëve të Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku mund të merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të BE-së, SHBA-së dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. Një mundësi për të shkëmbyer argumente, qëndrime për çështjet kontestuese dhe zgjidhje të mundshme për daljen nga ngërçi në marrëdhëniet mes dy vendeve, me çka do të zhbllokoheshin pengesat në rrugën integruese evropiane të Maqedonisë.

    Pala maqedonase e pranoi menjëherë nismën, por nga Bullgaria nuk pati përgjigje të saktë, të paktën jo publikisht. Ndërkohë, Sofja njoftoi se në Samitin e NATO-s, në vend të presidentit Rumen Radev, do të shkojë kryeministri bullgar, Rosen Zheljazkov. As kjo nuk ishte problem për palën maqedonase.

    “Nëse ka ndonjë iniciativë për takim në nivel president-kryeministër, ajo duhet të pranohet pa marrë parasysh që unë nuk do të jem atje, ky është qëndrimi im dhe jam i bindur se do të jetë qëndrim edhe i presidentes”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska u pajtua. Por, për momentin, një takim i tillë në Samitin e ardhshëm të NATO-s, nuk është caktuar.

    BULLGARIA NUK PRANON KOMPROMIS

    Për çështjen maqedono-bullgare, presidenti Rumen Radev më 16 qershor deklaroi se nuk bëhet fjalë për çështje të pazgjidhura bilaterale, për vendosje vetoje apo për ndalim të procesit të integrimit, por për sfida të brendshme që lidhen me të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    “Ka Marrëveshje për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim nga viti 2017 dhe në të ka dy protokolle. Ka kornizë negociuese nga viti 2022, konsensus evropian i të gjitha vendeve anëtare dhe nga pushteti i Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria kurrë nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha Radevi.

    Megjithatë, problemi kyç janë vetë protokollet, dhe disa pika prej tyre janë të vështira për t’u realizuar, sidomos çështjet historike dhe identitare.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski deklaroi se ajo që thonë përfaqësuesit e Bullgarisë, do ta kenë mundësinë ta dëshmojnë më 24 qershor me tërheqjen e amendamenteve në Parlamentin Evropian, dhe të pranojnë nismën për takim në kuadër të samitit të NATO-s në Hagë në fund të muajit.

    “Po vijnë shumë mesazhe të ndryshme nga Sofja zyrtare. Të parët tanë kanë thënë ‘më pak dëgjo çfarë flasin, më shumë shiko çfarë bëjnë’. Ka mundësi ta tregojnë këtë që e thonë. Më 24 qershor në Komisionin për Punë të Jashtme pranë PE-së ndodhet raporti ku pres që anëtarët bullgarë të PE-së të tërheqin amendamentet në të cilat kërkojnë që identiteti dhe gjuha shumëshekullore maqedonase të përkufizohen me fjalën ‘aktual’ apo ‘present’, dhe në atë frymë të miratohet ai raport dhe më pas edhe udhërrëfyesi për të drejtat e pakicave që shumë shpejt do të jetë në rend dite. Kështu që e kanë mundësinë ta tregojnë këtë që e thonë me vepra”, deklaroi Mickoski.

    Presidentja Siljanovska nuk e komentoi drejtpërdrejt deklaratën e presidentit bullgar Rumen Radev, por theksoi se kjo nuk do të thotë se ajo pajtohet me të.

    “Çështjet identitare janë jashtë çdo kornize negociuese, sepse janë jashtë Marrëveshjes për BE-në, nga Marrëveshja e Lisbonës dhe nga Karta për të Drejtat Themelore. Aty garantohet identiteti kombëtar dhe kulturor, jo vetëm i vendeve anëtare të BE-së, por edhe i kandidatëve për anëtarësim në BE”, deklaroi Siljanovska.

    Prandaj, pavarësisht përpjekjeve të diplomatëve evropianë dhe së paku përkushtimit deklarativ të liderëve të BE-së për vazhdimin e procesit të zgjerimit të Unionit me vende të reja anëtare, në kërkimin e një zgjidhjeje për Maqedoninë, javën e ardhshme nuk duhet pritur mrekulli. Ajo që mund të pritet, është që t’u bëhet më e qartë shumëkujt në Evropë se ku qëndron thelbi i problemit maqedono-bullgar. Pastaj, është punë e diplomacisë dhe e dëshirës së sinqertë të të gjithëve për arritjen e një kompromisi, i cili është në interes të Maqedonisë dhe Bullgarisë, por edhe të Bashkimit Evropian. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rebalanc për të frenuar çmimet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë