FATURAT E LARTA TË RRYMËS NË RMV | Qytetarët “hyxhym” pas paneleve diellore

    Sa vjen e më shumë biznese, por edhe komunat, ndërmarrjet e tyre e kështu me radhë, po vendosin panele diellore për prodhimin e rrymës. Faturat e larta në periudhën e kaluar, si dhe shtrenjtimi i madh i rrymës në tregun e hapur kanë shtyrë këto subjekte që të orientohen të shfrytëzojnë diellin, me qëllim që të ulin kostot e tyre të përmuajshme. Përvojat praktike të bizneseve tregojnë se në rast se nuk do të kishin instaluar centralet fotovoltaike, faturat e energjisë elektrike do të ishin shumë më të larta.

    “Ky është viti i dytë që kemi vendosur dy centrale diellore në kulmin e fabrikës që kryesisht e përdorim për nevojat tona, dhe në rast se nuk do të kishim instaluar ato, faturat e rrymës do të ishin për një tretën më të larta, andaj edhe për një të tretën kemi më pak harxhime, sepse rrymë prodhohet vetëm kur ka diell dhe nuk ka mjegull”, thotë drejtori i Fabrikës Moda nga Shën Nikolli, Angell Dimitrov.

    Edhe kompanitë e tjera thonë se një investim i tillë ka qenë i domosdoshëm për mbijetesën e bizneseve. Pronari i fabrikës së tekstilit nga Shtipi, Kirill Nashkov thotë se kanë vendosur fotovoltaik që para krizës dhe rritjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, mirëpo shton se ekzistojnë akoma probleme që duhet të zgjidhen.

    “Nevojitet që shteti sa më shumë të qartësojë dhe rregullojë rregullat e lojës edhe pse në kohën e fundit kemi shumë kompani që po montojnë fotovoltaiket. Tani duhen zgjidhur problemet me nxjerrjen e lejeve ku kemi një lehtësim për qytetarët, por që duhet të lehtësohet edhe për bizneset”, shton Nashkov. Sipas tij në varësi prej pozitës së objektit ku instalohen fotovoltaiket, mund të paraqiten probleme me rrjetin e EVN-së.

    Nga ana tjetër, rritjen e interesimit për shfrytëzimin e diellit si burim të rinovueshëm për prodhimin e energjisë elektrike e tregojnë edhe të dhënat e institucioneve përkatëse. Në vitin e kaluar centralet diellore kanë marrë pjesë me tre për qind në prodhimin e përgjithshëm të rrymës, karshi një për qind në vitin 2020. Vetëm sivjet janë kërkuar mbi 180 leje apo licenca për vendosjen e fotovoltaikeve deri tek Komisioni Rregullator për Energjetikë. Çmimi i rrymës që ato e prodhojnë është afër 100 euro.

    Për rritjen e madhe të kërkesave flet edhe fakti se në vitet e kaluara, janë lëshuar nga 20 leje në mesatare në vit, ndërsa sivjet kjo shifër është rritur për nëntë herë.  Gjithashtu vetëm në vitin 2021 ka pasur 2021 centrale diellore fotovoltaike, që sivjet dhe në vitet e ardhshme si trend, vetëm pritet të rritet.

    Të dhënat e Komisionit Rregullator tregojnë se për herë të parë në vitin 2021, po dominon numri i centraleve diellore që e shesin rrymën në tregun e energjisë elektrike. Në vitin e kaluar 101 centrale diellore kanë shfrytëzuar tarifën e privilegjuar, përderisa 121 centralet e tjera diellore, rrymën e prodhuar, e kanë shitur në tregun e energjisë elektrike.

    Në Strategjinë e Zhvillimit të Energjisë që është miratuar nga Qeveria në vitin 2019, parashikohet që centralet fotovoltaike dhe ato të erës do të jenë teknologjitë me rritje më të shpejtë për prodhimin e energjisë elektrike në të gjithë tre skenarët, pra planifikohet ndërtimi i 750 Megavat orë, termocentrale me erë dhe 1400 Megavat orë janë planifikuar të ndërtohen centrale fotovoltaike.

    Një nga masat që po ndërmerren për të mbështetur prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë është vendosja premiumit. Prodhuesit e energjisë elektrike nga centralet fotovoltaike dhe ato të erës që përdorin premium mund ta shesin energjinë elektrike në tregun me shumicë dhe për sasitë e shitura marrin premium si shumë shtesë ndaj çmimit të arritur në tregun e energjisë elektrike. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Afërsisht 500 fëmijë janë sulmuar nga qentë endacakë në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Skandali në “Zhan Mitrev”, Sali: Raporti është në fazën e fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë