Migrimet masive të dibranëve në botën e jashtme e kanë shndërruar Dibrën në një qytet sezonal. Ky qytet i lashtë, me domethënie të veçantë historike kombëtare, për shkaqe politike dhe ekonomike, fatkeqësisht ka ndoshta numrin më të madh të mërgimtarëve në krahasim me shumë qytete të tjera.
Ai gjallërohet tërësisht vetëm gjatë verës, kur në vendlindje kthehen mijëra mërgimtarë që jetojnë në ShBA dhe në shtete të Bashkimit Evropian. Të dhënat që ka siguruar gazeta Koha nga shoqatat e dibranëve në diasporë, tregojnë se këtë verë pritet të vijnë mbi 10 mijë dibranë nga mërgata në vatrat e tyre familjare apo të prindërve të tyre.
Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e dibranëve kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që nga Amerika të ketë edhe ardhjen më të madhe.
Shoqata atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork informon se grupet e para të mërgimtarëve tashmë kanë arritur në Dibër që nga mesi i qershorit. Por, sipas të njëjtit burim, vala më e madhe pritet në fillim të muajit korrik. Shoqata parashikon ardhjen e mbi 5 mijë dibranëve që sot jetojnë në disa shtete të SHBA-së si: Nju Jork, Nju Xhersi, Arizona, Teksas, Florida, Kaliforni, Alaska etj. Ardhje masive janë paralajmëruar edhe nga shoqatat e diasporës dibrane që jetojnë në Itali, Gjermani, shtetet e Beneluksit dhe Skandinavisë.
Shoqata “Asociacione Dibra” në Itali njoftoi se edhe këtë verë pritet një numër i madh mërgimtarësh nga Dibra dhe rajoni që do të vizitojnë vendlindjen. Sipas tyre, si çdo vit, edhe këtë herë ardhja masive do të ndodhë në mesin e muajit korrik.
Shoqata e mërgimtarëve dibranë në Zvicër “Dibra” me seli në Cyrih ka njoftuar se edhe nga ky shtet pjesa më e madhe e diasporës do të vizitojë Dibrën gjatë kësaj vere. Sipas informacioneve, mërgimtarët do të qëndrojnë për një periudhë pushimi që zgjat mesatarisht një muaj, ndërsa disa që vijnë nga Amerika qëndrojnë edhe deri në dy muaj.
Komuna e Dibrës ka planifikuar aktivitete të shumta për mirëpritjen e tyre. Programi përfshin aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe takime me mërgimtarët, të cilët pritet të marrin pjesë aktive në to. Duke pasur parasysh se Dibra merr frymë plotësisht vetëm gjatë verës, janë aktivizuar gjithashtu edhe objektet shërbyese si restorantet, kafiteritë, diskotekat, si dhe rrjeti tregtar. Po ashtu, janë duke u bërë përgatitje edhe për plazhin e Liqenit të Dibrës, i cili ofron mundësi relaksimi gjatë ditëve të nxehta të verës.
Pritet që vera të sjellë jo vetëm pushim dhe relaks për mërgimtarët, por edhe shumë gëzime, përfshirë organizimin e dasmave të shumta tradicionale dibrane. Duke pasur parasysh se thuajse çdo familje dibrane ka të afërm në mërgim, vera në Dibër sjell emocione pozitive, gëzime familjare, por edhe rritje të ndjeshme të të ardhurave në rrjetin tregtar dhe në buxhetet familjare. Sepse, pa ndihmën e diasporës, Dibra vështirë se mund të frymojë edhe në aspektin material.