Zgjedhjet lokale ndezin skenën politike: VLEN optimiste, LSDM me 19 kandidatë, BDI kërkon zgjedhje të dyfishta

    Koalicioni qeverisës VLEN mbrëmë është mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Çair për të promovuar shtabin e Çairit. Në fjalimet e tyre, krerët e partive pjesë e VLEN-it folën edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, shkruan Nistori.

    Thanë se “hyjnë në zgjedhje me duar të pastra” dhe se me tubimin e sotëm, “po festohet fitorja ende pa nisur beteja”. Ua kujtuan qytetarëve se projektet që realizohen tani nga “kryetarët e komunave të udhëhequra nga opozita, janë projekte që financohen nga Qeveria”.

    Izet Mexhiti nga VLEN pas tubimit në Çair i pyetur për kandidatët e këtij koalicioni në zgjedhjet lokale, Mexhiti edhe një herë përsëriti se po bëhen anketa. Duke komentuar praninë e pjesëmarrësve, Mexhiti “vlerëson se është dëshmi se qytetarët po përshëndetin unifikimin”.

    “I detyruam edhe të tjerët të shndërrohen në dy tabore që të mos digjet vota shqiptare”, tha Mexhiti.

    Mbrëmë poashtu Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit mblodhi kryesinë dhe kryetarët e degëve të partisë, për siç bëri të ditur Blerant Ramadani për të diskutuar aktualitetin politik.

    Ramadani foli edhe për mundësinë e kaolicionimit. Tha se bisedimet vazhdojnë dhe se bashkëpunimi, e cila mund të quhet edhe si iniciativë kombëtare, “ka për synim të kthejë dinjitetin e shqiptarëve”.

    Sa i takon komunave, tha se ende nuk kanë vendosur se në sa komuna do të garojnë.

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur poashtu ditë më parë për mediat për zhvillimet e fundit në Frontin Europian dhe për të ashtuquajturin Fronti Kombëtar.

    Ai tha se për partinë e integristëve më e “kapshme do të ishte që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare”.

    I pyetur se a i bashkohet Frontit Kombëtar edhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Ahmeti tha se “koordinohen aktivitetet dhe se nuk është çështja nëse do t’i bashkohet ose jo Frontit Kombëtar”.

    “U bëhet një shërbim goxha i mirë elektoratit shqiptar, por edhe komuniteteve tjera, sepse ne jashtë trajtimit nuk i lemë edhe komunitetet e vogla, por i tërë është një proces i filluar dhe akoma nuk ka marrë epilog përfundimtar”, tha Ahmeti.

    LSDM shpalli 19 kandidatët për kryetar komune

    Bordi Ekzekutiv i LSDM-së mbrëmë dha miratimin e tij për 19 kandidatë për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale, përcjell Nistori.

    Siç tha kryetari Venko Filipçe, kandidat për komunën Qendër është kryetari aktual Goran Gerasimovski, për Aerodromin Dr. Aleksandar Trajanovski, për Gjorçe Petrov Kostadin Acevski – kryetar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, për Kriva Pallankë kryetari aktual Saško Mitovski.

    “Kandidatët u zgjodhën në bazë të parimeve të shpallura, me një konsensus mjaft të gjerë në organizatat komunale, njerëzit kanë besueshmërinë dhe legjitimitetin për të kërkuar besim, disa për herë të parë, disa përsëri”, tha Filipçe.

    Ai njoftoi se në javët e ardhshme do të shpallin emrat e kandidatëve për komunat e mbetura. Me vendim të Bordit Ekzekutiv, LSDM nuk do të ketë kandidatë për kryetar komune në disa komuna: Saraj, Çair, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Zhelinë, vetëm lista për këshilltarë.

    Këto janë 19 bashkitë për të cilat dihen kandidatët:

    Komuna Qendër – Goran Gerasimovski (kryetar aktual)
    Komuna e Aerodromit – Dr. Aleksandar Trajanovski
    Komuna Gjorçe Petrov – Kostadin Aceski
    Komuna e Çucer Sandevës – Sasho Komnenoviq (kryetar aktual)
    Komuna Berovë – Ilija Runtevski
    Komuna e Kriva Pallankës – Sasho Mitovski (kryetar aktual)
    Komuna e Lozovës – Aco Velkovski
    Komuna e Ceshinovo Obleshevës – Goranço Krstev
    Komuna Bogdanci – Bllaze Shopov
    Komuna Dojran – Risto Dzinev
    Komuna e Mogillës – Zoran Ristevski
    Komuna Negotino – Petar Mantev
    Komuna e Novacit – Lube Kuzmanovski
    Komuna Rosoman – Stojançe Nikollov (kryetar aktual)
    Komuna e Vevçanit – Stefan Radionoski
    Komuna e Krushevës – Tome Hristovski (kryetar aktual)
    Komuna Resnjë – Aleksandar Buzlevski
    Komuna e Shtipit – Pavel Ivanov
    Komuna Gazi Babë – Vlatko Mitovski

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e RMV premton zhvillim ekonomik, por sjell vetëm rritje çmimesh!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë