Dislokimi i bombarduesve B-2 – Për sulm apo si kërcënim?

    ShBA-ja ka nisur dislokimin e bombarduesve të tipit B-2. Vetëm këta avionë mund të transportojnë bomba që shkatërrojnë objektet bërthamore nëntokësore në Iran.

    Sipas njoftimeve të mediave amerikane disa avionë bombardues të tipit B-2 u larguan gjatë natës (ora lokale) nga baza e Forcave Ajrore Amerikane në Whiteman, Misuri. Avionët bombardues u nisën nga kjo bazë, që gjendet në qendër të SHBA-së, dhe më vonë u panë pranë brigjeve të Kalifornisë së bashku me avionë furnizues me karburant, njoftoi New York Times. Nga atje avionët fluturuan mbi Oqeanin Paqësor. Po ashtu njoftohet se presidenti Trump do të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

    Edhe të dhënat e faqeve të internetit të specializuara për gjurmimin e avionëve tregojnë gjithashtu se për zhvendosjen e avionëve. Sipas gazetës New York Times, aeroplanët duhet të kenë fluturuar drejt ishullit Guam që gjendet në oqeanin Paqësor. Gazetat Wall Street Journal dhe Washington Post raportuan gjithashtu për zhvendosjen e avionëve bombardues të tipit B-2, duke cituar zyrtarë të qeverisë si dhe duke iu referuar shërbimeve për gjurmimin e fluturimeve.

    Avionët bombardues të tipit B-2 janë të vetmet që kanë kapacitetin e nevojshëm për të sulmuar me bomba speciale objekte që gjenden thellë nën tokë, si centrali bërthamor Fordo në Iran.

    “Ndoshta demonstrim force”

    Gazeta Wall Street Journal e interpreton këtë veprim si një shenjë se qeveria amerikane po përgatit bombarduesit e tipit B-2 në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Iranit. Megjithatë zyrtarët e qeverisë amerikane thanë se nuk kishte urdhër për të përgatitur ndonjë sulm. Sipas Wall Street Journal dislokimi i bombarduesve B-2 në një bazë më afër objektivit të mundshëm, mund të jenë edhe një mjet për të ushtruar presion mbi Iranin në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin. Gazeta Washington Post u shpreh për një “demonstrim të mundshme force”.

    Bombarduesi i tipit B-2 mund të transportojë bombën GBU-57 e cila është e aftë të shkatërrojë bunkerë. Kjo bombë, e cila ka një ngarkesë lënde shpërthyese prej 13,607 kilogramësh, mund të depërtojë më shumë se 60 metra në tokë para se të shpërthejë dhe është e vetmja armë që mund të shkatërrojë objektet bërthamore nëntokësore të Iranit, si centrali bërthamor në Fordo. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Fisi i rrallë: gratë udhëheqin, zgjedhin partnerë dhe burrat mbulojnë fytyrën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë