Uzurpimi i hapësirave publike në Tetovë: shitësit ambulantë dhe lokalet bllokojnë rrugët dhe trotuaret

    Uzurpimi i hapësirave publike nga shitësit ambulant, por edhe lokalet e ndryshme në rrugën e “Ilindenit” dhe Bulevardin “Iliria” në Tetovë, po bëhen problem gjithnjë e më i madh. Në pjesë të ndryshme të qytetit, sikur nuk iu mjafton disa shitësve uzurpimi i gjithë trotuarit me mallrat e tyre, kanë bllokuar edhe një pjesë të rrugës.

    Lëvizja e lirë e qytetarëve jo vetëm që po pengohet, por në pjesën tek tregu i qytetit, është pamundësuar pothuajse tërësisht. Shkaku i këtyre uzurpimeve, Inspektorati komunal vazhdon luftën për largimin e tyre, bashkë me SPB-në e Tetovës, por rezultati vazhdon të jetë zero, kjo për shkak se vetëm pas largimit të inspektorëve dhe policëve situata në bulevarde kthehet në gjendjen e mëparshme.

    “Në vazhdimësi inspektorati është në terren për ti liruar teraSat, trotuaret dhe hapësirat publike. Në të shumtën e rasteve , hapësirat pubike janë liruar por ka edhe pengesa të ndryshme. Ka raste kur inspektorati bashkë me Policinë dhe inspektoratin e tregut bëjnë konfirmim e mallit madje, por të njëjtit shitës ambulantë sërish dalin në trotuar dhe i vendosin produktet. Është një betejë e vazhdueshme që merremi me fillimin e mandatit. Së fundmi jemi duke përpiluar bashkë me dy inspektoratet edhe një projekt, për të vazhduar lirimin e plotë të trotuareve. Ka pasur dënime edhe atë mbi dyzet dënime vetëm për persona fizik”, tha Albion Alili, Zëdhënës i komunës së Tetovës.

    “Problemi më i theksuar rezulton të jetë këtu në rrugën e “Ilindenit” dhe në Bulevardin “Iliria” tek pjesa poshtme tëek tregu i qytetit, ku bllokohen jo vetëm trotuaret por edhe rrugët. Meqë i takon ekonomisë gri, kërkuam sqarim edhe nga inspektorati i tregut i komunës, por pa përgjigje”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

    Kohë më parë, gjatë aksionit kontrollues nga ana e policisë u gjet dhe konfiskua sasi e madhe e duhanit që shitej në të zezë por edhe gjëra të tjera, të cilët ishin të padeklaruara.

    “Gjatë kontrollit, janë privuar nga liria gjashtë persona për shkak të bazave të dyshimit se kanë kryer veprën penale “shmangie e pagesës së akcizës” sipas nenit 279-b të Kodit Penal. Gjegjësisht, gjatë kontrollit të këtyre personave janë gjetur dhe konfiskuar gjithsej 453 pako cigaresh të ndryshme dhe 199 kilogramë duhan të llojit të ndryshëm. Ata janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse”, thonë nga SPB Tetovë.

    Komuna dhe policia paralajmërojnë se aksionet për lirimin e hapësirave të uzurpuara nga shitësit në të zezë, do të intensifikohen edhe më shumë nga java e ardhshme, për shkak të ardhjes së mërgimtarëve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Raporti për RMV nesër para eurodeputetëve, dokumenti përmend gjuhën dhe identitetin maqedonas

    Lajmi i rradhës

    Kuvendi Studentor i UKM dorëzoi kërkesa zyrtare për përmirësimin e kushteve në konviktet studentore në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë