Biljana Zefiq është një nga të punësuarat në Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve në vitin 2019, një vend pune i rezervuar për shqiptar. Por, qindra raste të tilla, të ndryshimit të përkatësisë, para dhe pas saj, ishin evidente, dhe madje edhe më masive.
Tetor 2020, dhjetëra qytetarë me emra maqedonas, punësoheshin në vende të rezervuara për shqiptarë në Inspektoratin e Bujqësisë. Ishin Daniela Këzhaovska, Sashko Stojanoviq, Cetanka Gegovska, Emilija Stojçevska, Jovançe Tashov, Sasho Janevski, Biljana Naumova, Tatjana Damjanovska, Sterja Gogol, Bogdan Stojanovski, Dragan Sërbinovski, Jane Trajkov, Apsotol Bakev Silvana Tërbogazova. Ndërkohë Tome Delev ishte deklaruar si turk.
Në shtator po të njëjtit vit, në Agjencinë e Aviacionit Civil, ku rrogat janë marramendëse krahasuar me standardin e jetesës të vitit 2020 por edhe tani, një person me emrin Sasho Novkoski, punësohej në vendin e rezervuar për shqiptar.
Balancuesi, mekanizmi i punësimeve i vitit 2017, manipulohej me të madhe, madje, nën hundën e vetë BDI-së që ishte në pushtet, Kjo, nuk ishte sigurisht pa pëlqimin e saj, sepse qindra rasteve të tilla që denoncoheshin nga Alsat dhe media të tjera, nuk merrnin përgjigje nga kjo parti. Institucionet heshtnin gjithashtu, duke refektuar se mes partnerëve qeveritar kishte një konsensus të këtij manipulimi. Kështu, Balancuesi vdiq. Shpalljen të vdekur, e bënë pikërisht edhe vetë ministrat e BD-së, sikurse pati zbuluar Alsat, me Strategjinë për Reforma në Administratën Publike 2023-2030. Balancuesi nënvizohej jo vetëm si vegël që ka sjellë shpërdorime të shumta, por edhe atë pabarazi dhe korrupsion, dhe se në vend të ishte instrument për punësim të qytetarëve të përkatësive etnike, u jepte përparësi listave partiake të punësimit, listave me miqësi, apo edhe manipulimeve të tjera të ndryshme.
Në faqen 47 të kësaj strategjie theksohej:
“…mjeti i quajtur “balancues”, në praktikë shkakton abuzime të shumta. Duhet të zbatohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve. Me kritere dhe procedura objektive të një konkursi të hapur për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë, të kryer nga profesionistë të administratës që zotërojnë një ekspertizë dhe integritet të lartë, do të krijohet një mburojë nga ndikimi politik.”
Edhe në raportin e skriningut nga KE-ja, për Klasterin 1, (Vlerat themelore), theksohej në mënyrë taksuese se mekanizmi i “balancuesit”, i cili përcakton përqindjen e përfaqësimit të punonjësve të sektorit publik nga çdo grup etnik “nuk i përmbush më objektivat dhe se formula nuk pasqyron të dhënat e regjistrimit të popullsisë që jeton në vend”.
Partia që më së shumti e keqpërdori këtë mekanizëm, apo edhe që për 20 vjet la mijëra administratorë të merrnin paga duke qëndruar në shtëpi, nuk e kishte aq problem as shfuqizimin e tij. Duke mos dhënë asnjëherë llogari para opinionit publik dhe ligjit, me mekanizmat e saj tentonte ta devijonte këtë shkelje sikur të mos ishte asgjë.
“Balancuesin nuk e kanë vendosur vetëm partitë që jemi këtu. Balancuesi është një vendim institucional për të ndjekur realizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Po s’qenka kusht fort i fortë ky”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Në reagimet e fundit, BDI-ja shfaqet e shqetësuar që për herë të parë punësimet do të garantohen me ligj, që si nocion juridik, e ngre parimin kushtetues të përfaqësimit në nivel të ligjit. Qëllimi i ligjit është që të rregullojë respektimin, avancimin dhe ndjekjen e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve në të gjitha nivelet e pushtetit.
Fryma e ligjit bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës dhe i obligon institucionet që të kujdesen për respektimin e përfaqësimit të komuniteteve nëpër institucione, megjithatë duke pasur kujdes diskriminimin e qytetarëve dhe duke mbajtur llogari për përgatitjen profesionale, kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen. Zgjidhja e re ligjore pritet të mbyllë epokën gati 10-vjeçare të një manipulimi korruptiv, ku politika me marrëveshje ndërhynte deri në sistemin kompjuterik të punësimeve.