SHTRENJTOHET JETESA NË RMV / Shportë e rëndë për xhepin

    Vlera e shportës sindikale minimale në muajin maj arriti në afër 64 mijë denarë, ndërsa një vit më parë vlera e saj ishte 60 mijë denarë, që do të thotë se për një vit, ajo është shtrenjtuar për afër 4000 denarë. Nga ana tjetër, nevojiten dy paga e gjysmë minimale që në prill arriti në 24.379 denarë, për të mbuluar shportën minimale. Njëherësh, në maj të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, inflacioni ishte 3.3 për qind, apo me fjalë tjera, Indeksi i çmimeve të konsumit në maj 2025, krahasuar me majin 2024, shënoi një rritje prej 3.3 për qind. Gjithashtu, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, kostoja e jetesës në maj 2025 është rritur me 1.5 për qind, krahasuar me prillin 2025. Kjo rritje është shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat shënuan një rritje prej 4.1 për qind, shkruan gazeta KOHA.

    Sindikatat në vend, përskaj kërkesës për pagë minimale prej 500 eurosh, rritje të të gjitha pagave të tjera në vend me 100 euro dhe rritje të pagave të punonjësve në sektorin publik me 12.6 për qind në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik, propozojnë që menjëherë të merren edhe masa kundër shtrenjtimeve, duke shtuar vetëm në këtë mënyrë mund të mbahen çmimet nën kontroll.

    Raporti i Inspektoratit Shtetëror të Tregut pritet të miratohet në një seancë qeveritare, i cili duhet të përmbajë të dhëna nga inspektimet e kryera gjatë periudhës së ndryshuar, pas çka pritet të pasojnë masa. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria shumë shpejt do të dalë me një zgjidhje të propozuar për të zbutur rritjen e çmimeve të ushqimeve. Pa zbuluar detaje, ai tha se po ndërmerret një qasje serioze në konsultim me ekspertët dhe palët e interesuara të biznesit.

    “Situata e çmimeve po monitorohet dhe njofton se do të merren masa nëse ka sjellje joparimore nga tregtarët. Unë po e ndjek nga afër situatën e çmimeve, thash se nuk do të toleroj hile, po e monitorojmë me kujdes atë që po ndodh në tregje dhe sigurisht nëse ka sjellje të caktuara joparimore që unë i quaj hile, do të veprojmë. Përndryshe, planifikojmë të marrim masa, me të cilat opinioni do të informohet në kohën e duhur “, tha Mickoski

    Nga Ministria e Ekonomisë thonë se ende po kryhen analiza dhe, nëse është e nevojshme, masat do të merren më së shpejti në korrik.

    “Në fund të këtij muaji, do të bëjmë një raport tjetër. Le të shohim se si do të lëvizin çmimet gjatë dy muajve, nëse kemi sjellje devijante nga tregtarët, prodhuesit dhe shpërndarësit, do të miratojmë masa më rigoroze”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

    Ekspertët ekonomik paralajmëroi se nëse konflikti midis Iranit dhe Izraelit vazhdon, mund të aktivizohen tendenca inflacioniste që do të ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit. Rritja e kostove të prodhimit do të jetë një problem serioz për bizneset vendase, për shkak të varësisë nga importi dhe rritjes së çmimeve të energjisë.

    Akademik Taki Fiti lidhur me çmimet e ushqimeve mbështet masa indirekte në vend të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, siç është ngrirja e çmimeve, duke paralajmëruar se masa të tilla janë kundër produktive në planin afatgjatë. Ai i bëri thirrje Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës të veprojë në mënyrë proaktive kundër sjelljes monopoliste. Ai gjithashtu vuri në dukje joefikasitetin e sistemit të subvencioneve bujqësore, i cili tha se shpesh nuk arrin te prodhuesit e duhur. Fiti propozoi një ndryshim në modelin e subvencioneve dhe masa shtesë për të mbështetur bujqësinë si një sektor kyç për zhvillimin ekonomik.

    “Është thelbësore të kontrollohet situata me masa indirekte. Ne kemi Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe ai duhet të bëjë punën e vet. Në kulmin e krizës, Komisioni tha: ‘ne nuk veprojmë nëse nuk kemi zë’. Nuk mund të jetë kështu. Komisioni ka kompetencat për të vepruar, për të parandaluar sjelljen monopoliste, për të parandaluar pozicionin dominues të kompanive të caktuara, për t’i ndëshkuar ato drejtpërdrejt për këtë. Është një nga institucionet kryesore përgjegjëse për ruajtjen e nivelit të konkurrencës dhe presionit konkurrues në ekonomi, por edhe lirinë e tregut dhe sipërmarrjes”, theksoi Fiti.

    Nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të vitit 2024, çmimet në Maqedoninë e Veriut u rritën me 35 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 46.8 për qind. Këtë e tregojnë analizat e Institutit për Kërkime dhe Politika Ekonomike “Finance Think”.

    Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, Maqedonia e Veriut u përball me një rritje të ndjeshme të inflacionit, të shkaktuar nga disa faktorë. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe presionet në tregjet individuale shkaktuan presione mbi çmimet që në gjysmën e dytë të vitit 2021. Megjithatë, goditja kryesore ndaj çmimeve, sipas Finance Think, erdhi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit 2022, një ngjarje që shkaktoi ndryshime tektonike gjeopolitike dhe ekonomike. Kjo pati një ndikim të fortë në rritjen e çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para bazë.

    Në përgjigje të këtij presioni inflacionist, Qeveria ka prezantuar një sërë masash për të zbutur pasojat negative mbi konsumin dhe standardin e jetesës së popullsisë. Masat e marra në periudhën 2021-2024 kanë të bëjnë me ngrirjen e çmimeve të disa produkteve bazë dhe kufizimin e marzheve tregtare, me qëllim parandalimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve. Deri në dhjetor 2024 u miratuan gjithsej nëntë vendime bazë, tre prej të cilave kanë të bëjnë me kufizimin e marzheve, dhe pjesa tjetër me kufizimin e çmimeve. Disa prej tyre kanë të bëjnë me produkte të caktuara nga grupi ushqimor, dhe disa mbulojnë një gamë më të gjerë produktesh ushqimore. Edhe në vitin 2025 pati masa të ngjashme që skaduan në maj. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Parkingu pa pagesë në Dibër shkakon probleme!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë