Kur Shqipëria ishte i vetmi vend në botë pa Ministri të Drejtësisë

    Hasan Bello

    Më 6 shtator 1966, për të rritur kontrollin e PPSh-së mbi organet e drejtësisë, në mbledhjen e Byrosë Politike u vendos të suprimohej Ministria e Drejtësisë. Kjo reformë administrative krahas arsyeve ekonomike dhe financiare të krizës që kishte përfshirë regjimin komunist, frymëzohej nga motive politike. Në këtë mbledhje, Enver Hoxha shpalosi haptazi mendimin për të rritur kontrollin në sistemin e drejtësisë. Një politikë e tillë binte ndesh edhe me vetë ligjet e miratuara nga regjimi komunist. Në Kushtetutë dhe në ligjin për funksionimin dhe organizimin e drejtësisë, formalisht, gjykatat konsideroheshin si organe të pavarura. Kjo mbledhje ishte përgatitur shumë më përpara dhe ishte diskutuar dhe nga ekspertë të institucioneve shtetërore, të cilët kishin sjellë mendimin e tyre konformë orientimit që ishte imponuar nga lart.

    Ky akt ishte i paprecedentë në historinë politike të shtetit shqiptar. Ministria e Drejtësisë kishte ekzistuar edhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur vendi ishte i pushtuar nga Italia (1939-1943) dhe Gjermania (1943-1944). Por, absurditeti i kësaj reforme qëndron edhe për faktin se suprimimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk kishte ndodhur në asnjë shtet të kampit socialist. Ai shënonte kështu të parin eksperiment me pasoja të dhimbshme për shoqërinë shqiptare të kësaj periudhe.

    Me suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë, kompetencat e saj i kaluan Gjykatës së Lartë. Kjo krijoi një mbivendosje të pushtetit ekzekutiv mbi pushtetin gjyqësorë, duke i dhënë përparësi udhëheqjes politike. Një veprim i tillë i dha një goditje të rëndë institucionit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individit përballë represionit të diktaturës dhe mekanizmave të kontrollit (shërbimit sekret, prokurorisë, policisë). Në këtë periudhë janë të dokumentuara një numër i konsiderueshëm rastesh kur drejtues partiakë apo vetë diktatori ndërhyjnë pranë gjykatave me urdhra konkretë për dhënien e dënimeve të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë.

    Në të njëjtën linjë me suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë ishte edhe eliminimi i avokatisë. Institucioni i avokatisë edhe kur ekzistonte ishte nën trysninë e strukturave të regjimit komunist. Kjo konstatohet edhe nga inspektimet e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kishte vërejtur se procedimi penal zhvillohej nën presionin e hetuesve, të cilët i bënin të akuzuarve pyetje sugjestionuese; ushtronin dhunë fizike dhe psikologjike për të pranuar faje të cilat ata nuk i kishin kryer. Sipas këtyre inspektimeve avokatët pengoheshin në ushtrimin e detyrës së tyre, u kufizohej koha dhe survejohej biseda me të dënuarit.

    Në vitin 1976 pas kalimit të një periudhe gati 30-vjeçare, ndryshimet që kishin ndodhur brenda vendit i imponuan regjimit komunist hartimin e një Kushtetute të re. Vendimi i Byrosë Politike për suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe avokatisë 10 vjet para miratimit të kësaj Kushtetute, e kishte vendosur pushtetin gjyqësor totalisht nën kontrollin e partisë, duke theksuar përparësinë e saj dhe të lidershipit komunist mbi çdo pushtet tjetër. Me këtë Kushtetutë, Shqipëria u shpall gjithashtu i vetmi vend ateist në botë.

    Fakti që edhe sot kemi probleme me sistemin e drejtësisë është një tregues për paaftësinë dhe keqadministrimin e shtetit. Këtu nuk duhet harruar edhe një arsye tjetër: për drejtësinë të gjithë kanë nevojë, por jo të gjithë e duan!

    Lajmi Paraprak

    Miratohet raporti për Maqedoninë e Veriut/ Identitetit nuk iu shtua fjala “modern”

    Lajme tjera

    KRYEMINISTRI

    Nga: Teresa Galeote DalamaPërktheu: Bajram Karabolli Kryeministri, në gjumë, hidhet përpjetë nga një ëndërr e tmerrshme. Ende në…
    Më tepër

    FJALË DHE VETËM FJALË

    Khalil GibranPërktheu: Bajram Karabolli Zgjohem në mëngjes dhe shoh fjalët, ulur pranë meje, në faqet e letrave, gazetave…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë