Emërtesa e re: Ministria “S’ka rroga” e Kulturës  

    Kaosi ligjor dhe financiar prej disa muaj vazhdon në një pjesë të institucioneve nacionale të kulturës. Sindikata e Kulturës ka reaguar sërish duke akuzuar Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për cenimin sistematik të së drejtës për pagë për punonjësit në sektorin e kulturës.  

    Në një deklaratë publike, Sindikata akuzon Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit se refuzon vazhdimisht të respektojë vendimet e Bordeve Drejtuese të dy institucioneve kulturore, duke i lënë punonjësit pa pagesë për muajin maj. Në shenjë proteste, Sindikata e riemërtoi institucionin “Ministria e (Kulturës) dhe Turizmit – S’ka rroga”, duke aluduar, siç thonë ata, në pasivitetin kronik të ministrit dhe neglizhencën institucionale ndaj punonjësve të kulturës.

    Sipas Sindikatës, Ministria jep udhëzime me telefon për llogaritjen e pagave që janë në kundërshtim me Marrëveshjet Kolektive dhe legjislacionin në fuqi, pa dhënë asnjë konfirmim me shkrim. Ata thonë se kur institucionet kërkojnë një dokument me shkrim si bazë për procedura të tilla, ata marrin kërcënime – se “nuk do të marrin pagë për muaj të tërë”.

    “Pafytyrësia shkon deri aty sa, përveç shkeljes të së drejtës për pagë, cenohet edhe e drejta për sigurim shëndetësor pas 30 qershorit”, paralajmëron Sindikata në reagimin e saj.

    Njoftimi i referohet edhe dispozitave specifike ligjore nga Ligji për Ekzekutimin e Buxhetit, të cilat, sipas tyre, konfirmojnë se përgjegjësia për ligjshmërinë e pagesës i takon ekskluzivisht Ministrisë së Kulturës dhe drejtorëve të institucioneve dhe jo Ministrisë së Financave – e cila, siç deklarojnë ata, përdoret vetëm si justifikim.

    “Është e qartë se Ministria e Kulturës dhe Turizmit, pra Ministri i Kulturës dhe Turizmit, si dhe drejtorët që veprojnë në përputhje me udhëzimet e tij, janë përgjegjës vetëm për shkeljen e të drejtës për pagë të punonjësve në sektorin e kulturës”, thuhet në deklaratën e Sindikatës së Kulturës.

    Përmes reagimit ata kërkojnë pagesën e menjëhershme të pagave në përputhje me vendimet e Bordeve Drejtuese. Nëse Ministria përsëri i referohet Ministrisë së Financave si frenues, Sindikata kërkon që dispozitat specifike që do ta mbështesnin këtë pretendim të shpallen publikisht.

    Aktualisht, numërohen mbi 850 padi aktive të ngritura nga punonjësit kundër vendimeve të përgatitura në mënyrë të paligjshme. I njëjti numër padish pritet të ngrihet edhe për diferencën e papaguar në paga, gjë që do të thotë dëme shtesë financiare dhe presion të mëtejshëm mbi sistemin gjyqësor dhe buxhetin e shtetit, për të cilin supozojmë se ministri ka parashikuar dhe siguruar fonde këtë herë, theksojnë nga sindikata. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni Europian: u shqetësuam kur Bogojevski u emërua drejtor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë