Regjistrimi i popullsisë 2021 nën shqyrtim: VLEN dhe BDI me akuza pas vendimit të GjK

    Regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut është rikthyer në qendër të debatit politik, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen ndërmjet “rezidentëve” dhe “jorezidentëve”. Partitë shqiptare BDI dhe VLEN kanë reaguar me qëndrime të forta dhe të kundërta në lidhje me këtë proces dhe ndikimin e tij në përfaqësimin e shqiptarëve në vend, shkruan Nistori.

    Reagimi i BDI-së: zvogëlim i qëllimshëm i shqiptarëve në statistika

    Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si përpjekje për të delegjitimuar regjistrimin e vitit 2021, i cili sipas tyre për herë të parë pas vitit 2002 tregoi një rritje të përqindjes së shqiptarëve në vend, duke arritur në 29,5%, krahasuar me 25,17% në vitin 2002.

    Sipas BDI-së, akuzat për paligjshmëri janë “një përpjekje e qëllimshme për të mbuluar vendimin e turpshëm, të padrejtë dhe antikushtetues të kësaj qeverie”, e cila “zvogëloi përqindjen e shqiptarëve në 24,3% përmes përjashtimit të mërgatës nga përllogaritjet zyrtare”.

    BDI thekson se kjo nuk ishte thjesht një çështje teknike, por “një akt politik i rëndë që synon zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në mënyrë sistematike”. Partia shprehet se “nuk do të lejojë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të padukshëm në vendin e tyre” dhe se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

    Reagimi i VLEN-it: regjistrimi ishte projekt politik për të manipuluar numrin e shqiptarëve

    Koalicioni VLEN, aktualisht pjesë e qeverisë, në një konferencë për shtyp akuzoi ish-qeverinë LSDM-BDI se “me urdhëra politike” ka ndikuar në manipulimin e procesit të regjistrimit. Sipas VLEN-it, Enti Shtetëror i Statistikave “u shndërrua në instrument të manipulimit”, duke ndarë shqiptarët në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, me qëllim përjashtimin e diasporës nga statistikat zyrtare.

    VLEN e cilësoi regjistrimin si “projekt politik i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra”, ndërsa kritikoi ashpër ndarjen në kategori që “nuk ekzistojnë në asnjë ligj” dhe që “prodhuan mbi 132.000 banorë të panjohur, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e diasporës u zhdukën qëllimisht nga numrat”.

    Koalicioni vuri në dukje edhe disa mospërputhje statistikore në vendbanime me shumicë shqiptare, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e të dhënave. Ata e përshëndetën vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “fitore të së vërtetës dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar”, duke theksuar se “edhe mërgimtarët janë rezidentë”.

    Ndërkohë që përplasjet mes partive vazhdojnë, vëmendja publike është e përqendruar te pasojat që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të ketë mbi përfaqësimin institucional dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pritet që Enti Shtetëror i Statistikave dhe organet kompetente të dalin me qëndrim për mënyrën e zbatimit të vendimit dhe ndikimin e tij në statistikat zyrtare.

    Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i gatshëm për një regjistrim elektronik të popullsisë, sipas standardeve të Eurostatit dhe pa e keqpërdorur politikisht. I pyetur rreth vendimit të Gjykatës Kushteteuse për ta abroguar metodologjinë, Mickoski tha se që kur ishte në opozitë kishte adresuar kritikat e tij për mënyrën si ishte organizuar dhe zbatuar regjistrimi i popullsisë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Franca ndalon pirjen e duhanit në plazhe, parqe dhe stacione autobusësh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë