Rritet ndikimi kinez edhe në Maqedoninë e Veriut

    Investimet kineze në infrastrukturë, telekomunikacion, media dhe përmbajtjet akademike, si dhe diplomacia kineze për Kovidin pas shpërthimit të pandemisë kanë forcuar ndikimin e Kinës në shtetet ballkanike, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ndikimi është veçanërisht në rritje në hapësirën informative dhe këtë e tregojnë disa hulumtime dhe anketa. Ndër më të fundit të publikuara është anketa e Institutit Republikan Ndërkombëtar – IRI, rezultatet e të cilit tregojnë gjithashtu rritje të numrit të qytetarëve në Maqedoni që kanë mendim pozitiv për Kinën.

    Ata ofrojnë mbështetje të lartë edhe për Turqinë, por kjo nuk është befasi, sepse kështu ka qenë edhe në vitet e kaluara. Mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e lartë, megjithëse ka një rënie në krahasim me vitin e kaluar. 87 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë përgjigjur se janë plotësisht dakord ose pjesërisht dakord që marrëdhëniet e forta me Turqinë janë në interesin më të mirë të vendit, dhe 65 për qind e mendojnë të njëjtën gjë për Kinën, që është një rritje në krahasim me vitin e kaluar, tregon anketa e IRI. Mbështetja për Rusinë për këtë pyetje është 57 për qind.

    “Dëshpërimi në BE dhe procesi i cili po zgjatë shumë, sjell dhe pasojat e veta. Është normale që qytetarët të kthehen në aleatë të ri kur të vjetrit nuk na donë. Nuk ka nevojë për alarm te ne, por në BE e cila duhet ti përmbush premtimet e saja”, thotë Sinisha Pekevski, analist.

    Për një vit është rritur numri i njerëzve që mendojnë se Maqedonia e Veriut duhet të ketë marrëdhënie të mira me Kinën. Në nëntor të vitit të kaluar, 25 për qind e qytetarëve të përfshirë në anketën e IRI-t janë përgjigjur se janë plotësisht dakord se interesi më i mirë i Maqedonisë është të ketë marrëdhënie të mira me Kinën, për dallim nga tetori i këtij viti, numri është rritur në 32 për qind. Qytetarët ende kanë mbështetje të fortë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pavarësisht rënies prej 11 për qind që nga nëntori 2021. Këtë vit, 73 për qind e qytetarëve thanë se mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE, dhe 24 për qind thonë se nuk janë pro të anëtarësimit në Union. Përqindja është ende e lartë, ndonëse ka një rënie në krahasim me vitin e kaluar kur 84 për qind e qytetarëve të anketuar deklaruan se mbështesin anëtarësimin në BE. 21 për qind thanë se BE-ja më së shumti i ndihmon interesat kombëtare të vendit dhe 50 për qind pajtohen plotësisht se është në interesin të Maqedonisë së Veriut të ketë marrëdhënie të mira me BE-në. 38 për qind kishin këtë qëndrim për SHBA-në dhe 27 për qind për Rusinë.

    Sa i përket Turqisë, anketa e IRI-së tregon mbështetje edhe më të madhe, ku 47 për qind e qytetarëve të anketuar këtë vit janë përgjigjur se janë plotësisht dakord me ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, për dallim nga 42 për qind në tetor të vitit të kaluar. Qytetarët besojnë se Turqia është vendi që më së shumti i ndihmon interesat kombëtare të vendit, pasuar nga BE-ja, Gjermania, SHBA-ja, Rusia dhe Kina. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Gjermania mik dhe armik i Serbisë“

    Lajmi i rradhës

    Problemet me infrastrukturën | Të pakënaqur edhe investitorët e huaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë