Të mbahet takim i ri në periudhën e ardhshme me qëllim harmonizimin e përbashkët të tekstit të Marrëveshjes me të cilën do të arrihet marrëveshje për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë Maqedoninë dhe Bullgarinë, me qëllim avancimin e punës për zbatimin e Korridorit hekurudhor 8. Kjo u ra dakord në takimin e sotëm midis zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe homologut të tij bullgar Grozdan Karaxhov, i cili u mbajt në kuadër të forumit “Lidhshmëria Globale e Transportit” të mbajtur në Stamboll.
Dy zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Transportit theksuan domosdoshmërinë për ndërtimin dhe modernizimin e korridoreve evropiane të transportit, dhe i vunë theks të veçantë Korridorit hekurudhor dhe rrugor 8, si një parakusht për zhvillimin ekonomik rajonal dhe lehtësimin e transportit dhe tregtisë.
“Duke theksuar çështjen e lidhjes hekurudhore midis dy vendeve, të dy kolegët ranë dakord se ky projekt ka një dimension rajonal, i cili imponon edhe pozicionimin strategjik të Aleancës së NATO-s duke lidhur Detin Adriatik dhe Detin e Zi”, njoftoi ministria e Transportit në një deklaratë.
Nikolloski dhe Karaxhov ranë dakord të dërgojnë ekspertë për të marrë pjesë në takimin mbi Korridorin 8 të organizuar nga Komisioni Evropian në korrik të këtij viti.
Ministri ka shprehur disa herë pritjet e tij që dialogu me Bullgarinë mbi ndërtimin e lidhjes hekurudhore brenda Korridorit 8 do të vazhdojë dhe se Sofja do të tregojë gatishmëri për këtë projekt, siç po bën vendi.