KUJT I PENGON 29%? | Iniciativa e Qeverisë për “regjistrim elektronik”

    Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet. Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”. Kështu ka thënë BDI në një reagim drejtuar mediave, ndërsa shtojnë se prandaj nuk e befasojnë as hapat e këtij segmenti të Qeverisë, e as institucionet që ata kanë arritur t’i kapin, siç janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike etj.

    “Secila prej tyre po punon aktivisht për zbatimin e programit elektoral të VMRO-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj”, thonë në BDI, ndërsa shtojnë se ajo që është vërtet tronditëse, është se mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit.

    “Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një ‘inxhinieringu digjital’ nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it. Këto përpjekje nuk do të kalojnë. Për këtë i sigurojmë edhe shqiptarët, por edhe ata që janë duke i bërë këto përpjekje të rrezikshme për ardhmërinë e shtetit”.

    MICKOSKI VAZHDON TË MOS E PRANOJË REZULTATIN E 2021-shit

    Në ndërkohë, tre vite pas deklaratës së parë, Mickoski e ka përsërit kërkesën për “Regjistrim elektronik”, pasi akuzon se ka manipulime në shifrat e Regjistrimit të vitit 2021. Ai ka lënë të kuptohet se nuk e pranon faktin që shqiptarët kanë dalë 29.5 për qind, ndërsa njëjtë sikurse në vitin 2021, edhe tani nuk e pranon rezultatin e Regjistrimit.

    “Propozimi im ishte të mos sfidohej e drejta e diasporës, të na jepej një njësi zgjedhore dhe të gjitha votat një njësi zgjedhore. Nuk mund ta zhvillojmë vendin bazuar në të dhëna të rreme. Çdo qeveri duhet të bëjë zhvillim bazuar në disa të dhëna. Dhe bazuar në çfarë? Dy ose tre persona u ulën, ranë dakord: shkruaj-fshij dhe e përfunduan punën. Po ndodhnin gjëra të çuditshme që nuk bazoheshin në asgjë, në erë dhe mjegull. Dhe tani opozita po ju thotë se çfarë duhej të ishte bërë”, tha Kryeministri në përgjigjen e tij. Lidhur me zbatimin e një “Regjistrimi elektronik” dhe ndikimin në uljen e numrit të këshilltarëve në zgjedhjet e ardhshme lokale, Mickoski tha se është një mundësi nëse shprehen dyshime për madhësinë e popullsisë. Në këtë iniciativë për “Regjistrim elektronik”, Mickoski është mbështetur edhe nga ZNAM-i i Maksim Dimitrievskit, ndërsa VLEN-i po përgatit opinionin për këtë Regjistrim onlajn.

    “Para së gjithash, Maqedonia, për të ndërtuar një të ardhme premtuese, duhet të ketë strategjinë e vet. Për të ndërtuar të njëjtën strategji, duhet të ketë në dispozicion numra realë dhe të saktë, duke filluar nga popullsia, burimet etj. Çdo regjistrim i të dhënave është i dobishëm jo vetëm për qytetarët, por para së gjithash për shtetin në mënyrë që të mund të ndërtojë ato strategji zhvillimi afatgjata. Në këtë rast, përmendët regjistrimin e popullsisë, unë besoj në idenë e regjistrimit elektronik. Ne e mirëpresim atë ide të kryeministrit dhe presim që ai material të arrijë te ne dhe menjëherë do të deklarohemi. Po, është gjithmonë mirë të dimë se çfarë kemi, kë kemi dhe çfarë kemi në shtet dhe në bazë të kësaj të krijojmë plane për zhvillimin e ardhshëm më të madh të shtetit”, tha Dimitrievski i ZNAM-it.

    QEVERIA QË NË PRILL KA KRIJUAR GRUP PUNE PËR “REGJISTRIMIN ELEKTRONIK”

    Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, ka zbuluar se që në prill të këtij viti, Qeveria ka krijuar një Grup Pune të gjerë, me qëllim që të krijojë kushte për realizimin e një Regjistrimi digjital në vitin 2026. Në një intervistë or TV Sitel, Andonovski madje tha se Maqedonia e Veriut ka kapacitet të plotë për të realizuar një Regjistrim digjital të popullsisë, ndërsa objektivi i Qeverisë është që ky proces të zhvillohet në vitin 2026. Ai theksoi se edhe pse sipas standardeve ndërkombëtare regjistrimi i radhës parashikohet në vitin 2030 ose 2031, Qeveria është e vetëdijshme për nevojën e rishikimit të Metodologjisë së përdorur në vitin 2021, e cila u vlerësua si e papërshtatshme nga Gjykata Kushtetuese.

    “Që në prill të këtij viti kemi krijuar një grup pune të gjerë, me qëllim që të krijojmë kushte për realizimin e një Regjistrimi digjital në vitin 2026. Kemi kapacitet dhe ky është një nga prioritetet e programit qeveritar”, deklaroi ministri Andonovski. Ai sqaroi se Ministria për Transformim Digjital posedon një Regjistër Qendror të Popullsisë, që mbledh të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, Enti për Regjistrimin e Gjendjes Civile dhe Regjistri Qendror. Gjatë periudhës në vijim, do të punohet intensivisht në pastrimin dhe plotësimin e të dhënave, në mënyrë që vendi të jetë i gatshëm, pavarësisht nëse regjistrimi do të mbahet në 2026 apo në 2031. Si shembull pozitiv të një shteti me sistem të avancuar të regjistrimit digjital, Andonovski përmendi Slloveninë.

    ASH: NJË PLANI I ERRËT I VMRO-së

    Njëjtë sikurse BDI, edhe Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim të vendosur ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026 – pesë vite para afatit të rregullt që është caktuar për vitin 2031. Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, sipas ASH-së, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve dhe në kundërshtim flagrant me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, të cilat përcaktojnë që regjistrimet e popullsisë duhet të realizohen në dekada të plota – përkatësisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1” (siç është 2030 apo 2031).

    “Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një Qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në ‘rezidentë’ dhe ‘jorezidentë’, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend”, akuzon ASH.

    Ne, vijon më tej reagimi, i paralajmërojmë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski se nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes. “Shuplaka e parë politike do të vijë në muajin tetor, në zgjedhjet që do të dëshmojnë fundin e mashtrimit dhe rrëzimin e piramidës artificiale të VLEN-it. Atëherë do të nisë beteja e madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, të drejtës për përfaqësim dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit. Ne deklarojmë qartë dhe prerë se regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga ‘Bota Serbe’”, thotë ASH, ndërsa shtojnë se nuk do të lejojnë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve, dhe çdo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit.

    MEXHITI PËR REGJISTRIMIN 2021: BDI FSHIU SHQIPTARËT NGA QYTETET DHE FSHATRAT

    Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili në vitin 2021 ishte pjesë e BDI-së, ka akuzuar po këtë parti se në “Regjistrimin 2021”, ka fshirë shqiptarët nga qytetet dhe fshatrat e Maqedonisë. Në një reagim në Facebook, Mexhiti ka shkruar se e kupton nervozën e BDI-së kur hapet tema e Regjistrimit të popullsisë, pasi sipas tij, ata më së miri e dinë se deri sa kryhej operacioni i fshirjes së shqiptarëve, ata merreshin me operacione të pasurimit dhe nuk u interesonte asgjë tjetër.

    “Tani përmes patriotizmit të rrejshëm në Facebook përpiqen të mbrojnë rrenat e tyre. Sot do t’ju njoftojmë me tradhtinë kombëtare në rrethin e Strugës, respektivisht: Në fshatin Ladorisht, sipas regjistrimit të vitit 2021 janë evidentuar 1.344 banorë mbi moshën 18 vjeç, kurse ne zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 persona. Pra, kanë votuar 1000 persona më tepër se sa janë regjistruar. Në fshatin Veleshtë, janë regjistruar 2.196 persona mbi moshën 18 vjeç, ndërsa kanë votuar 2.377, rreth 200 më shumë se sa janë regjistruar. Si dhe në fshatin Livadhi, numri i votave në zgjedhjet 2024 është më i lartë se numri i banorëve të regjistruar në 2021”, ka shkruar Mexhiti.

    Ai ka shtuar se BDI me politikat destruktive, përveç që shpërnguli qindra mija njerëz jashtë shtetit, edhe ato që mbetën në zonat shqiptare, i ka fshirë nga evidenca. “Vetëm nga këto 3 fshatra të Strugës, nga regjistrimi janë ‘harruar’ mbi 5000 shqiptarë. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të fshirë në nivel republike do t’ju tmerrojë, prandaj po bërtisni! Prandaj s’jeni rahat! Koha për përgjegjësi për tradhtitë kombëtare dhe përgjegjësi do të ketë!”.

    VLEN: NUK ËSHTË DISKUTUAR PËR ORGANIZIM TË NJË REGJISTRIMI TË RI

    Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik? Kështu ka pyetur koalicioni VLEN ndërsa ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata, siç thuhet, të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare.

    “Sqarojmë opinionin publik se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm. Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët. VLEN mbetet fuqishëm në mbrojtje të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata nuk janë banorë ‘jorezidentë’, por pjesë e pandashme e këtij kombi dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit tonë”, thotë VLEN-i.

    Tradhtia, vijon më tej reagimi i VLEN-it, që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet asnjëherë. Ajo është njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. “Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari. Kjo është një fitore e së vërtetës dhe e drejtës. Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet pjesë legjitime e vendimmarrjes kombëtare”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Fushat e Dibrës pa ujë, premtime sa të duash — neglizhencë nga institucionet

    Lajmi i rradhës

    Drogomishti i Madh i Kërçovës: fshati që sakrifikon për të mos u zhdukur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë