Numri i vendeve të punës për të rinjtë ka rënë me pothuajse një të tretën që nga lançimi i ChatGPT në nëntor 2022.
Vendet vakante për të diplomuarit, praktikat profesionale, punët praktike dhe pozicionet fillestare që nuk kërkojnë diplomë kanë rënë me 31.9 për qind, sipas një studimi të faqes së kërkimit të punës Adzuna, sipas The Times.
Këto vende pune për nivelin fillestar tani përbëjnë vetëm një të katërtën e tregut të përgjithshëm të punës, nga 28.9 për qind që ishte në vitin 2022.
Tregtia me pakicë, IT-ja, kontabiliteti dhe financa janë ndër sektorët më të goditur që kur aplikacioni i inteligjencës artificiale filloi të funksionojë.
Një numër gjithnjë e më i madh kompanish kanë folur hapur për planet e tyre për të përdorur inteligjencën artificiale për të ulur numrin e të punësuarve.
Në maj 2023, BT tha se do të zëvendësonte 10,000 vende pune me inteligjencë artificiale deri në fund të dekadës.
Allison Kirkby, drejtoreshë ekzekutive e BT, kohët e fundit tha se përparimet në IA mund të çojnë në shkurtime edhe më të mëdha të vendeve të punës në kompaninë e telekomunikacionit.
Dario Amodei, drejtor ekzekutiv i Anthropic, startup-i i IA me vlerë 61 miliardë dollarë që qëndron pas chatbot-it Claude, paralajmëroi muajin e kaluar se IA mund të eliminojë gjysmën e vendeve të punës për punonjësit e zyrave në nivel fillestar brenda pesë viteve, duke shtuar papunësinë me 10 deri në 20 për qind.
James Neave, kreu i shkencës së të dhënave në Adzuna, tha se përveç sfidave të përgjithshme ekonomike me të cilat përballen bizneset, IA është një faktor kryesor në tkurrjen e tregut të punës për nivelin fillestar.
“Nëse mund ta reduktosh punësimin në nivelin fillestar, kjo thjesht do të rrisë efikasitetin dhe do të përmirësojë kursimet e kostove,” shtoi ai.
Ngarkesat gjithnjë e më të mëdha ndaj bizneseve për shkak të rritjes së kontributeve të sigurimeve kombëtare dhe pagës minimale kombëtare, së bashku me Ligjin për të Drejtat e Punës që pritet të hyjë në fuqi, gjithashtu i kanë dekurajuar kompanitë nga punësimi në nivelet e ulëta.
Numri i pozicioneve për nivelin fillestar ra me 4.2 për qind të tjera në maj, edhe pse tregu më i gjerë i punës vazhdoi të forcohet. Numri i përgjithshëm i vendeve të punës u rrit me 0.49 për qind në maj krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 858,465 – rritja e tretë mujore me radhë.
Paga mesatare e shpallur gjithashtu u rrit me 9.4 për qind në bazë vjetore, duke arritur në £42,403 – rritja më e fortë vjetore që nga mesi i vitit 2022. Rënia më e madhe e vendeve të punës për nivelin fillestar është në sektorin e shitjes me pakicë, me një rënie prej 78.2 për qind në rolet e shpallura midis nëntorit 2022 dhe majit 2025, e ndjekur nga sektori i logjistikës dhe magazinimit si dhe administrata.
“Kontributet për sigurimet kombëtare ishin thjesht një barrë financiare”, tha Neave, duke shtuar se Ligji për të Drejtat e Punës “po e përkeqëson edhe më shumë situatën për punëdhënësit”.
“Nëse je punëdhënës, të gjitha këto shtojnë arsye pse nuk duhet të punësosh njerëz,” tha ai.
Numri i vendeve të lira është më shumë se përgjysmuar në disa sektorë që nga nëntori 2022. Vendet e punës në IT kanë rënë me 54.8 për qind, ndërsa pozicionet në nivelin fillestar në kontabilitet dhe financa kanë rënë me 50.8 për qind.
Numri i përgjithshëm i vendeve të lira në Mbretërinë e Bashkuar tani është kthyer në nivelet para pandemisë, duke e tejkaluar mesataren globale, por ende mbetet pas tregjeve kryesore si Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania.
Raporti i kërkuesve të punës për çdo vend të lirë u rrit në 2.02, nga 1.98 në prill, ndërsa koha mesatare për të plotësuar një vend pune ra nga 39.6 ditë në 35.8 ditë. /TCh/