Mickoski nuk pajtohet me raportin e Parlamentit Europian: nuk ka “botë serbe” në RMV

    Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk e ka shqyrtuar raportin e Parlamentit Evropian, në të cilin raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Vajc, shpreh shqetësim për ndikimin e shtuar serb në vend. Në raport madje thuhet se Maqedonia e Veriut është pjesë e “botës serbe”, ideologji nacionaliste që synon të rrisë ndikimin e Beogradit. Por, Mickoski nuk pajtohet me këtë konstatim dhe thotë se realiteti në praktikë, pas ardhjes së kësaj qeverie, është ndryshe.

    “E hedh poshtë një konstatim të tillë dhe nuk besoj se një gjë e tillë është e përfshirë në ndonjë raport zyrtar të Bashkimit Evropian, sepse do të ishte shumë naive. Edhe nga kontaktet që i kam unë me përfaqësues të BE-së, të paktën që kur është kjo qeveri, jo vetëm që nuk kemi asnjë pikë të përbashkët me konstatim të tillë, përkundrazi – nëse ndonjëherë më parë ka ekzistuar iniciativa Ballkani i Hapur, të paktën prej kur është kjo qeveri, një gjë e tillë nuk ekziston, sepse nga ajo që unë mund të shoh, është humbur çdo kuptim i asaj iniciative”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

    Edhe pse Mickoski e mohon, raporti është publikuar më 26 qershor, ndërsa në pikën 80, raportuesi Thomas Vajc shkruan se Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për të ashtuquajturin koncept “bota serbe”, i cili është përkrahur dhe promovuar pikërisht nga përfaqësues të qeverisë. Vajc pretendon se në këtë mënyrë, përmes Serbisë, por edhe përmes Hungarisë, Maqedonia e Veriut ndodhet nën ndikim të fuqishëm të politikës ruse dhe kineze. Sipas Vajcit, ka të dhëna se shteti rus ka përdorur përfaqësues të mediave serbe për përhapjen e narrativit armiqësor ndaj NATO-s, duke pretenduar se BE-ja po ushtron presion mbi Maqedoninë e Veriut që të heqë dorë nga identiteti i saj. Edhe pse është vërtetuar se subjektet diplomatike kineze kanë financuar propagandë në mediat maqedonase, Hungaria përmendet gjithashtu si aktor në zinxhirin e shteteve që punojnë për avancimin e qëllimeve gjeopolitike të Moskës dhe Pekinit, duke u bërë pjesë e fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride dhe korrupsionit strategjik. Vajc në raportin e tij thekson se vendi së fundmi ka marrë hua prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, ndërsa origjina e këtyre parave duket se është nga Kina. Raporti i Vajcit për Maqedoninë e Veriut pritet të shqyrtohet në seancën plenare më 8 korrik. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ivan Rakitic i jep fund karrierës si futbollist

    Lajmi i rradhës

    Deklaratat kontradiktore të Moskës: a po prishet miqësia me Vuçiqin?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë