VLEN ka dorëzuar kallëzim penal për manipulim të mundshëm me regjistrimin e vitit 2021. Në një deklaratë për mediat, Fatmir Sabriu nga VLEN njoftoi se kallëzimi do të dorëzohet kundër ish-udhëheqësisë së Entit për Statistikë, zyrtarëve të ish-Qeverisë BDI-LSDM dhe personave të tjerë të përfshirë në një marrëveshje të dyshuar politike. VLEN pretendon se rezultatet e regjistrimit janë falsifikuar në mënyrë të qëllimshme, duke ulur numrin e shqiptarëve dhe duke dëmtuar të drejtat e tyre kushtetuese. Kjo, sipas tyre, ka ndikuar negativisht edhe në ndarjen e fondeve publike. Ata kërkojnë hetim të menjëhershëm nga Prokuroria dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e së vërtetës.
“Në emër të VLEN, ju njoftojmë se do të dorëzojmë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, kundër ish-udhëheqësisë së Entit Shtetëror për Statistikë, personave të tjerë përgjegjës dhe drejtues në kryesinë e ish-Qeverisë së BDI-së dhe LSDM-së, si dhe personave të tjerë brenda koalicionit të cilët kanë bërë marrëveshje politike në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Arsyeja për kallëzimin është dyshimi serioz për marrëveshje politike dhe, si pasojë e kësaj, falsifikim i rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021, me ç’rast dyshohet se është kryer vepra penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar (neni 353 i Kodit Penal)”, tha Sabriu.
Pasojat e këtij akti janë të thella shton ai, si: numri i shqiptarëve të paraqitur në shumë fshatra, vendbanime dhe qytete është ulur në mënyrë drastike dhe të vetëdijshme.
Me këtë, shqiptarët humbasin shumë të drejta personale dhe individuale (të garantuara me Kushtetutë), siç janë: punësimi, përfaqësimi politik dhe barazia gjuhësore.
Po ashtu, edhe institucionet janë vënë në pozitë të marrin vendime për ndarjen e mjeteve dhe fondeve bazuar në të dhëna të gabuara dhe të zvogëluara, me ç’rast qytetarët në shumë komuna janë dëmtuar.
Ata kërkojnë nga Prokuroria Publike të hetojë këto dyshime.
“Për më tepër, ditëve të fundit funksionarë të lartë të BDI-së kanë pranuar publikisht se “regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjes”, çka e përforcon edhe më shumë dyshimin për një skenar politik të gjithë operacionit. VLEN ndërmerr këtë iniciativë në mbrojtje të ligjshmërisë, barazisë dhe pasqyrës reale statistikore të shtetit. Presim që Prokuroria të hapë menjëherë lëndë, të sigurojë të gjitha provat materiale dhe të zhvillojë një hetim të plotë. Nuk ka kompromis kur preket dinjiteti dhe numri i popullatës tone. Lufta për drejtësi fillon tash dhe do ta vazhdojmë deri në fund, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Sabriu.