Mos…! 

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA 
    Kujtim Shabani 

    “Mos shko larg, se do t’vjedhin xhipët!” Kështu e këshillon gjyshja nipin e saj tek priret t’i japë bicikletës në lagje. Ajo e vështron nga sheshi para shtëpisë, mu aty ku ca kohë përpara u çanin drutë dy hamballë romë! Kjo është strategjia e saj për ta ruajtur atë nga ndonjë aksident, ku ajo s’i gjindet pranë t’ia miklojë plagën, a t’ia fshijë lotët. Atë i cili as kupton mirë ç’i thuhet, as e kuptojnë mirë ç’thotë. Çfarë dashurie! Çfarë pedagogjie! Çfarë gjenie!

    Një psikolog mund ta thotë më mirë se ç’ngjet në kokën e një fëmije kur i thua do të të vjedhin. Ai me siguri do të ndihet akoma më i vogël, më i pafuqishëm, më i vetmuar nga ç’është. Do të trishtohet, do të tmerrohet, do t’i pritet dëshira, vrulli, pafajsia… Do t’i shtrembërohet përfytyrimi për botën. Do t’i helmohet shpirti. Mbase ai do të mobilizojë forca dhe ide për qëndresë. Do të shpezojë energji nga ato pak që i ka, pa qenë i detyruar për një gjë të tillë.

    Kjo është ajo që ia ka punuar atij. Po ç’i ka punuar me këtë edukatë shoqërisë? Ç’i ka bërë këtij grupi njerëzish? Pse t’i thuash “xhipët”? Gypsyt. Në vend t’i thuash romët. Kemi gjithë ato shprehje e sinonime për ta dhe të gjitha pezhorative: maxhupë, jevgj, ciganë… Pse ka kaq shprehje përbuzëse dhe përhudëse për këtë komunitet, me të cilin jetojmë në një shtet, në një qytet, në një lagje?

    Më vonë, kur të ngryset, mbase akoma pa rënë mirë terri, gjyshja do ta vërë nipin në gjumë dhe do t’i rrëfejë atij donjë përrallë. Ndonjë përrallë gjysmë të shpikur, gjysmë të dëgjuar. Do t’i flasë atij për kafshë që flasin dhe luajnë me fëmijët. Dhelpra, qen, majmunë, arinj dhe tigra inteligjentë si të kishin tituj shkencorë.

    “Po xhipët pshe i vezhën çaulët?”, mbase do ta ndërpresë nipi me një brengë që ia përzë gjumin. Atëherë gjyshja do t’i ndezë turbinat e imagjinatës dhe do të bëhet Zhyl Vern. Dhe do t’i tregojë për një ngjarje, që ia ka treguar njëherë dikush, të cilit ia ka treguar një tjetër, të cilit ia ka treguar prapë një tjetër, që e ka dëgjuar nga një pa emër e mbiemër… Ajo do t’i flasë nipit për majmunë, ujq e tigra që këndojnë e qeshin dhe romë që vjedhin fëmijët!

    Ndonjë rom, familje rome, jeton as njëqind metra nga sheshi ku nipi sillet me bicikletë. Është shtëpia e një mësuesi të muzikës, që nuk rron më, i cili ua ka mësuar këtë lëndë fisnike të gjithë fëmijëve të lagjes, edhe babës së nipit dhe babës së babës së nipit. Ndonjë treqind metra më tutje ka një geto rome, aty kalojnë të gjithë fëmijët e lagjes për në shkollë. Andej kanë kaluar nga dy herë në ditë edhe prindërit dhe gjyshërit e tyre. Dhe ja ku janë!

    Andej do të kalojë edhe ai, nëse nuk do ta çojnë me veturë në shkollë, siç është bërë zakon kohëve të fundit. Edhe për arsye të frikës se mos i shtypin veturat në rrugë, tëcilat nuk i ngasin romët. (Po gjyshja nuk e këshillon atë të mos shkojë larg me bicikletë, a sido të jetë, se do ta shtypin veturat!) Por romët do t’i takojë në shkollë. Në klasë. Në një bankë mbase nuk do të dojë të ulet me ndonjë prej tyre. Po do të flasë e do të gjindet me ta gjithë kohës dhe do t’i shohë me dyshim…

    Nipi do të rritet, do të dalë vetë në qytetet, po sepse ia kanë shpëlarë trurin mbase nuk do ta shohë se janë pikërisht romët që i kanë vjedhur. I ka vjedhur mjerimi dhe i ka katandisur për gazep. Të rriurit duke lypur lëmoshë, fëmijët, sa ai tani, duke dremitur nga sfilitja në një qoshe – dimrit të zbathur, e verës të mbathur. Mu në kohën kur moshatarët e tyre lozin me bicikletë në ndonjë lagje nën patronatin e gjyshes dhe këshillat e saj… Ua kanë vjedhur fëmijërinë, ua kanë vjedhur burrërinë, ua kanë vjedhur dinjitetin e robit!

    Nipi dikur do të martohet. Dhe do të bëjë një dasmë, siç dinë ta bëjnë vetëm në Tetovë. Qofshin pasanikë, a qofshin “më këndej”. Nipi do të bëjë një dasmë të tunden malet. Dhe do të tundet edhe do të shkundet edhe vetë në sheshin e zbrazur të sallonit vetëm për të, sa t’i vijë radha. Nën tingujt e muzikës së dalldisur. Dhe klarinetin, a sintin, a tupanat, a violinën, a njërin nga instrumentat e orkestrës do ta qajë një rom.

    Dhe të nesërmen, dhe në mot, dhe në jetë ai prapë do t’i shohë romët si njerëz të tjerë. Me më pak vlerë se ai dhe të tjerët. Ai mbase do të dalë në botë dhe do të ketë fat ta mësojë fatkeqësinë e sërës së tij, të cilën ca të tjerë e kanë quajtur me bisht e me brirë… Uroj të ta mësojë se sa i ligë është ky shikim i turbulluar. Kjo dritë e shkurtër, që ta nxin jetën ty dhe të tjerëve.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Minçev: punësimi në administratë do të bazohet në numrin real të popullsisë

    Lajme tjera

    Kangë më vete

    Poezi nga Migjeni Veri fryne pa meshire,si veri qe fryne,dhe si hajn ne shtepijat e kojshive hyne-edhe per…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë