Lista Serbe nis peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi Ibër

    Me nismën e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, në Mitrovicë të Veriut nisi të hënën një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër.

    Gurëthemelet e tyre u vendosën më 1 korrik, me praninë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

    Qeveria e Kosovës ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.

    Kurti tha se qëllim i këtij projekti është lidhja e Mitrovicës së Veriut, me popullsi shumicë serbe, me Mitrovicën e Jugut, ku shumica e popullsisë është shqiptare.

    Ai, gjithashtu, tha se Qeveria është e përkushtuar për një “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.

    Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i tha Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.

    Ai tha se peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.

    Nga Bashkimi Evropian i thanë Radios Evropa e Lirë më herët se çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë lumit Ibër, duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – përkatësisht me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura.

    Urat, përndryshe, do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.

    Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave.

    Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

    Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i rriti tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

    Kryeministri në detyrë, Kurti, tha se Qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.

    Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i thanë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut deklaruan se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.

    Qytetarë serbë presin në radhë për të nënshkruar peticionin në Mitrovicë të Veriut, 7 korrik 2025.
    Qytetarë serbë presin në radhë për të nënshkruar peticionin në Mitrovicë të Veriut, 7 korrik 2025.

    Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës kryesore për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.

    Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.

    Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.

    Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Djali u merr gjëra shokëve të klasës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë