Si do rriten pagat e administratës në RMV?

    Punonjësit e Agjencisë për Komunikime Elektronike, organeve rregullatore dhe organeve të tjera të pavarura do të bëhen administratorë, dhe në të ardhmen pagat e tyre nuk do të shkurtohen, por do të ngecin. Pra, institucionet e pavarura shtetërore nuk do të jenë në gjendje të rrisin në mënyrë të pavarur pagat e tyre. Me ligjin e ri për nëpunësit administrativë, punonjësit e AKE, MEPSO, ESM, Komisionit Rregullator të Energjisë, Agjencisë së Aviacionit Civil dhe administratorët në Parlament do të kenë të njëjtat paga për të njëjtin pozicion pune si punonjësit në sektorët e tjerë publikë.

    PËLQIMI I MINISTRISË SË FINANCAVE

    Për çdo rritje page, atyre do t’u duhet pëlqimi i Ministrisë së Financave, sipas nenit 71 të ligjit të ri. Nga Ministria përkatëse thonë se qëllimi nuk është ulja e pagave të tyre, por rritja e tyre për ata që punojnë për gjysmën e pagës. Pra, me ndryshimet e reja në Ligjin për zyrtarët administrativë, këto institucione të pavarura bien nën të njëjtën ombrellë me ministritë. Megjithatë, duke pasur parasysh se këta punonjës kanë të ardhura më të larta se administratorët e tjerë, këto ditë është shfaqur dilema se çfarë do të ndodhë me pagat dhe funksionalitetin e tyre. Ministri Goran Minçev siguron se nuk do të ketë shkurtime, por ato do të ngecin.

    ”Bëhet fjalë për organet rregullatore dhe disa shërbime të institucioneve të caktuara, të cilat e shpallin veten si të pavarura. Këtu përfshihet një numër prej rreth 1.500 punonjësish që marrin paga 40 deri në 60 për qind më të larta se 115 mijë punonjës të tjerë në sektorin publik. Në këto organe rregullatore kemi raste kur punonjës që kryejnë të njëjtin funksion — për shembull, kontabilitet — në institucione të ndryshme, paguhen ndjeshëm ndryshe, ku në disa raste diferenca arrin deri në 80 apo edhe 100 për qind më shumë. Qëllimi nuk është ulja e pagave, por ndalimi i procesit të rritjes së pakontrolluar të tyre, në mënyrë që të ndalet praktika ku disa marrin shumë më tepër, ndërsa të tjerët — të cilët shpesh kanë paga modeste — mbeten pas. Synimi është që këto fonde të ridrejtohen në mënyrë të drejtë e të balancuar, për të siguruar më shumë barazi në sektorin publik”, thotë Ministri i Administratës, Goran Minçev.

    Kohë më parë ai vlerësoi se fakt është se pagat në administratë janë të ulëta, andaj dy mundësi që ato të rriten me një marrëveshje kolektive për të gjithë, por edhe një marrëveshje kolektive individuale për secilin institucion veç e veç.

    Javën e kaluar, Parlamenti miratoi Ligjin për Nëpunësit Administrativë, Ligjin për Punonjësit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Zhvillimin Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë, Ligjin për Shërbimin e Menaxhimit të Lartë, Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore dhe Ligjin për Vendosjen e Sistemit të Pagave në Sektorin Publik.

    Pritshmëritë janë që këto ligje do të sjellin strukturë, stabilitet dhe parashikueshmëri shtesë në menaxhimin e administratës publike, të sigurojnë llogaridhënie më të madhe të stafit drejtues dhe do të kontribuojnë në një sistem pagash të drejtë dhe të qëndrueshëm bazuar në parimin “punë e barabartë – pagë e barabartë”.

    “KAKOFONI” PAGASH

    Lazar Jovevski, këshilltar i jashtëm për punë dhe politikë sociale i Kryeministrit Hristijan Mickoski , në paraqitjen e tij si mysafir në podkastin “VMRO-DPMNE flet” foli për pagat në sektorin publik, duke theksuar se qeveria dëshiron të bëjë gjithçka që është e mundur për të stabilizuar të gjithë sistemin e pagave, dhe më pas të qaset në një zgjidhje sistematike që do të sigurojë një pagë të dinjitetshme për punë të denjë. 

    “Kjo qeveri dëshiron të vendosë nën kontroll lartësinë e pagave në sektorin publik. Kjo për shkak se ndodh që keni institucione ku nëpunësit administrativ në vetë ministrinë marrin një pagë, ofrues të caktuar të shërbimeve, ose tjetër lloj i realizuesve që kanë tjera detyra pune marrin dyfish apo trefish paga më të larta. Dhe e tërë kjo ka sjellë një ‘kakofoni’ në raport me pagat, bile sjell deri tek një konkurrencë jolojale, te pakënaqësia e punonjësve , pasi disa marrin, të tjerët nuk marrin, disa kanë nënshkruar marrëveshje kolektive, menjëherë të tjerët reagojnë pse edhe ne të mos nënshkruajmë të njëjtën dhe pse ato janë të privilegjuar. Dhe e tërë kjo krijon dhe ka krijuar më shumë një domino efekt të pakënaqësisë dhe rënie të produktivitetit edhe në sektorin publik”, thekson Jovevski.

    Sipas tij, ajo çka tani po ndodh është të stabilizohet i tërë sistemi i pagave apo ajo çka qeveria me partnerët social, para së gjithash sindikatat po mundohet të bëjnë është që ato degë të sektorit publik si arsimi shëndetësia, policia, tek nëpunësit administrativ po negociohet në nivel të tërë shtetit që të vijë tek stabilizimi i pagave që do të sigurojë pagë të denjë për jetesë të denjë. Jovevski shton se parametrat matematikorë, ekonomikë kanë treguar se në thelb, një rritje e pagave është e mundur në mënyrë lineare, siç ndodhi në dy këste me pensionet, brenda një ose më pak se një viti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e shqipes shkakton reagime për Korridorin 8

    Lajmi i rradhës

    Spitali që u “shndërrua” në organ policor!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë