“Një vit rezultate” të realizuara nga Drejtoria e Doganave dhe asnjë fjalë apo shenjë në gjuhën shqipe! Kështu është dukur sot prezantimi i punës njëvjeçare të Doganës, ndërkohë që kanë folur drejtori Boban Nikollovski, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilit edhe iu nda dekoratë si shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin për bashkëpunim me Doganat. Interesant ishte video-prezantimi i punës njëvjeçare të punës së Doganave, ku nga dhjetëra folës – shefa të sektorëve të Doganave dhe shefa të vendkalimeve kufitare, asnjëri nuk i prezantoi të arritur edhe në shqip – edhe pse dy prej folësve – ishin shqiptarë. Jo që nuk iu dha fjala, por as që u përmend zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti. Madje, ky i fundit – nuk kishte fjalë as në video-prezantimin e rezultateve.
Logoja e vjetër e Doganave, ajo që ishte dhe në shqip krahas maqedonishtes dhe anglishtes, në platformën e folësve ishte ndërruar dhe tani kishte vetëm maqedonishten dhe anglishten, ndërsa shënimi kryesor vetëm në maqedonisht. Ndryshe nga një vit më parë, tashmë në Doganë ka nis të “avullojë” tërësisht përdorimi i gjuhës shqipe, ndërkohë që më parë, edhe dokumentet interne ishin në dygjuhë – maqedonisht dhe shqip! Gjatë këtij një viti qeverisje VMRO-ZNAL-VLEN, ka rënë dukshëm edhe përfaqësimi i shqiptarëve si në nivele të ulëta, ashtu edhe në sektorë të Doganave. Së fundmi, janë punësuar rreth 40 doganierë të ri, ndërsa shqiptarët përfaqësohen me vetëm tre.
ZËVENDËSDREJTORI “ZHDUKET” NGA FAQJA ZYRTARE E DOGANAVE
Zëvendësdrejtori i Doganave është “zhdukur” edhe faqja zyrtare e Drejtorisë së Doganave. Asnjë link që çon në biografinë dhe detyrën e zëvendësdrejtorit nuk gjendet në faqen e Doganave, ndërsa që emri i Mustafa Dautit përmendet vetëm në pjesën bashkë me këshilltarët e drejtorit të përgjithshëm. Ndryshe nga faqet tjera zyrtare të institucioneve me detyra specifike, vetëm Drejtoria e Doganave nuk disponon me të dhëna se kush është zëvendësdrejtori. Nuk ka edhe foto të zëvendësit në faqen zyrtare. Ndryshe, në kabinetin e drejtorit janë tre këshilltarë – që të tre maqedonas: Sllobodanka Aleksovska, Goran Gerovski dhe Johan Tarçullovski.
NIKOLLOVSKI: RRITËM PROFESIONALIZMIN E SHËRBIMEVE
Për një vit punë, drejtori i Doganave, Bobab Nikollovski ka thënë se janë zbuluar rrjete kriminale të organizuara, të cilat kanë kryer vepra kriminele me mbi 230 automobila të përdorur, 230 kilogramë drogë dhe 600 kilogramë anabolikë. Ka informuar se është parandaluar një tentativë për të kontrabanduar ar në vlerë prej gjysmë milionë euro, 30 kilogramë argjend, mbi 200 kilogramë barna dhe mbi 10 mijë kilogramë suplemente, 400 mijë pako me cigare dhe puro.
“Në 94 raste të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale janë konfiskuar 180 mijë copë mallra. U parandaluan kundërvajtje dhe vepra penale, me gjithsej 520 raste të sekuestrimeve të regjistruara, ose dyfish më shumë se vitin e kaluar. U ngritën gjithashtu 181 kallëzime penale për krime të kryera kundër 307 personave fizikë dhe 99 personave juridikë, ose katër herë e gjysmë më shumë krahasuar me vitin e kaluar kur u ngritën 42 kallëzime penale. Këto janë rezultate historike të cilat do të mbahen mend në historinë e Drejtorisë Doganore”, theksoi Nikollovski.
Ai thotë se gjatë vitit të kaluar, pasi kanë analizuar situatën në institucion, kanë punuar për të filluar ndryshime urgjente, por të qëndrueshme dhe të dukshme, për operacione më të suksesshme, siguri më të madhe, luftë kundër korrupsionit, zbulim të rrjeteve të krimit të organizuar dhe parandalim të kontrabandës. Ka pasur kontrolle të shtuara, profesionalizëm të shtuar të shërbimeve, përmirësim të proceseve doganore, por edhe bashkëpunim të përmirësuar me kompanitë, gjë që, siç tha ai, rezultoi në mbledhje më të lartë të të ardhurave në Buxhet.
“Ne filluam fuqishëm që nga muaji i parë. Sot, Drejtoria Doganore përfaqëson një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet shteti, një simbol të prosperitetit, një simbol të sigurisë”, tha Nikollovski.
Rritja e kontrolleve, rritja e profesionalizmit të shërbimeve, përmirësimi i proceseve doganore, por edhe bashkëpunimi i përmirësuar me kompanitë, sipas tij, kanë rezultuar në mbledhje më të lartë të të ardhurave në Buxhet.
“Kështu, gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare, kemi mbledhur të ardhura në vlerë prej mbi dy miliardë eurosh, ose pothuajse 105 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e mëparshme. Ka një rritje të të ardhurave në çdo bazë. Të ardhurat nga taksat doganore shënuan një rritje prej 15.2 për qind, nga akciza për 7.1 për qind, ndërsa të ardhurat nga taksa e automjeteve shënuan një rritje prej 17 për qind. Kjo përfaqëson një shumë serioze që derdhet në Buxhet për më shumë investime kapitale, të cilat kanë stimuluar aktivitetin ekonomik dhe kanë çuar në rritje më të lartë ekonomike”, theksoi Nikollovski.
MICKOSKI: QYTETARËT E NJOHIN QASJEN E RE TË PUNËS
Për një vit me punë të palodhshme, vizion dhe qasje në menaxhim, po e kthejmë shtetin në këmbë, pjesë -pjesë, institucion pas institucioni, sistem pas sistemi. Qytetarët e njohin qasjen e re. Ata e dinë se nuk premtojmë mrekulli, se punojmë çdo ditë për të ndërtuar një sistem që nuk varet nga librezat partiake, por nga drejtësia, llogaridhënia dhe barazia, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në aktivitetin
“Një vit rezultate” në kuadër të Drejtorisë së doganave ku dha llogari për atë që është arritur gjatë vitit të kaluar. Siç theksoi Mickoski, të dhënat flasin shumë.
“Të ardhurat e mbledhura janë mbi dy miliardë euro që është 105 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i punës parimore, i udhëheqjes së institucioneve pa kalkulime, i luftës kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe i angazhimit të qartë politik – që paratë të shkojnë te qytetarët dhe jo në xhepat e dikujt. E dimë se çfarë do të thonë këto shifra që paraqiti drejtori i Drejtorisë së doganave – më shumë për pensione, paga, spitale, rrugë, shkolla… Ato para deri dje përfundonin në ekonominë gri, ndërsa sot kthehen te populli”, theksoi kryeministri, ndërsa
përmendi se gjithashtu, në Prokurori dhe Prokurorinë e Krimeve të Organizuara janë dorëzuar 181 padi penale, ku siç tha ai, është 4.5 herë më shumë se vitin e kaluar.
KOÇOSKA: DOGANAT, SHTYLLË STABILITETI FINANCIAR
Në fjalimin e saj në ngjarjen e titulluar “Një vit me rezultate” ku Dogana raportoi për punën e saj gjatë vitit të kaluar, Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se shifrat janë impresionuese dhe se janë dëshmi e qartë e punës së përkushtuar, profesionale dhe transparente të këtij institucioni.
“Ato janë rezultat i punës së palodhur, vizionit dhe bashkëpunimit dhe paraqesin një tjetër konfirmim se kur institucionet udhëhiqen nga njerëz me integritet dhe përgjegjësi, suksesi është i pashmangshëm. Do të doja të theksoja veçanërisht rritjen e ndjeshme të detyrimeve të importit të cilat tregojnë një normë të rritjes dyshifrore gjatë gjithë vitit, trend që filloi vitin e kaluar me ardhjen e udhëheqësisë së re. Të dhënat e fundit tregojnë rritje deri në 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – dhe kjo nuk është e rastësishme. Ky është rezultat i zbatimit konzistent të ligjeve dhe proceseve të avancuara”, theksoi ministrja.
Ky trend pozitiv, shtoi ajo është dëshmi se kur ka një sistem që funksionon dhe ku njerëzit e kuptojnë rolin dhe përgjegjësinë e tyre, rezultatet nuk mungojnë.
“Pres dhe besoj se kjo dinamikë do të vazhdojë edhe më tej dhe se Drejtoria e Doganës do të vazhdojë të jetë një shtyllë stabiliteti dhe mbështetje për disiplinën fiskale në vend”, theksoi ministri. /Koha/






