Ka rënë dukshëm përfaqësimi i shqiptarëve në Drejtorinë e Doganave dhe rënia vazhdon edhe më tej. Së fundmi, nga 75 punësime të reja, për shqiptarët janë rezervuar vetëm 13 vende. Në fillim të muajit maj, Dogana ngriti në detyrë 25 punonjës dogane – që të gjithë maqedonas, ndërkohë që në konkursin e 29 majit – nga 50 punësime, vende për shqiptarë kishte vetëm tetë (8) derisa 42 ishin maqedonas. Në total, nga gjithsej 125 punësime për një vit në Dogana, 20 janë shqiptarë, ndërkohë që 105 maqedonas. Situatë alarmante është në Sektorët e Drejtorisë së Doganave në Shkup. Nga 11 Sektorë, vetëm dy udhëhiqen nga shqiptarët si ndihmësdrejtorë, ndërkohë që nga 33 kryeshefa të Njësive – vetëm 3 janë shqiptarë.
Gjithashtu, shqiptarët nuk kanë zënë vend as në kabinetin e ngushtë të drejtorit – tre këshilltarë janë maqedonas dhe asnjë shqiptar. Sllobodanka Aleksovska, Goran Gerovski dhe Johan Tarçullovski janë të emëruarit e posaçëm si këshilltarë të lartë të drejtorit. Maja Hristov, shefe e kabinetit të drejtorit, udhëheq njëkohësisht edhe me Njësinë për Revizion të Brendshëm.
Ndihmësdrejtor dhe njëkohësisht kryeshef i Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar është Sllagjana Damjanovska, ndërsa dy kryeshefa të Njësive të këtij Sektori janë Ilija Janoski dhe Katerina Doneska. Asnjë shqiptar nuk ka në Sektorin për Sistem Doganor. Marjan Tasevski është ndihmësdrejtor i Sektorit, ndërsa pesë Njësitë udhëhiqen nga maqedonas: Dragan Ivanovski, Violeta Petkova, Oleg Josifov, Natalija Krusharovska dhe Ognen Naumov.
Edhe Sektori për Përgjegjësi Profesionale nuk ka shqiptar. Ndihmësdrejtor dhe udhëheqës Sektori është Xhem Aruç i etnisë turke, ndërsa Njësia për Kontroll të Brendshëm, Njësia për Integritet dhe Njësia për Hetime udhëhiqen nga Boban Mirçevski, Aleksandar Vladimirov dhe Bozho Lozanovski.
Në Sektorin e Akcizave, vetëm Burim Hajdari është shqiptar që udhëheq një Njësi në mesin e pesë kryeshefëve tjerë maqedonas. Ndihmësdrejtor i Sektorit për Akciza është Nadezhda Shopova Trajkovska, ndërkohë që Njësia për Energji, Njësia për Alkool, për Leje të Akcizave, si dhe për Mbikëqyrje dhe Koordinim udhëhiqen nga Renezijana Kiprijanova, Sanja Ubavkova, Zhenat Vasiç dhe Aleksandra Vasileva. Burim Hajdari udhëheq me Njësinë për Mbrojtje Intelektuale.
Ndihmësdrejtor i Sektorit për Kontrolle dhe Hetime është Vllatko Lakordov, ndërkohë që Njësinë për Hetime e udhëheq Risto Mindoshev, atë për Shoqata Tregtare – Lupço Çingovski, për Kundërzbulim – Semir Musa, për Punë Operative – Dushan Razmovski, për Menaxhim me Kriza – Goran Bogatinovski, ndërsa kryeshef i Njësit për Qendrën Kujdestare Doganore është Juliana Gievska.
Sektori për Masa të Posaçme udhëhiqet nga ndihmësdrejtori Igor Trpevski, ndërsa ndihmësdrejtor i Sektorit për Informatikë dhe Teknologji është Jane Sazdov. Edhe ky sektor nuk ka asnjë kryshef shqiptar në tre Njësitë e saj. Zoran Bllazhevski udhëheq me Njësinë për Zhvillim dhe Programim, Aleksandar Prodanov është kryeshef në Njësinë për Mbështetje Aplikative, ndërsa Ana Arizanoviç udhëheq Njësinë për Siguri dhe Infrastrukturë Teknologjike.
Sektori për Menaxhim me Resurset Njerëzore gjithashtu është e pastër etnikisht. Me këtë Sektor udhëheq ndihmësdrejtori Natasha Trajanovska, ndërkohë që në dy Njësitë – atë për Ushtrime dhe Kadrovike, kryeshefa janë Zhaklina Andreska dhe Jasminka Jakimovska.
Sektori për Çështje Financiare është sektori i radhës ku shqiptarët janë lënë anash. Ndihmësdrejtor i këtij Sektori është Sasha Sashek, ndërkohë që Zllatko Popoviç udhëheq me Njësinë për Pagesat e të Ardhurave dhe Igor Stojanovski me Njësinë për Financa dhe Kontabilitet.
Shqiptar që ka detyrën e ndihmësdrejtorit dhe udhëheqës Sektori është Ramadan Idrizi. Ky i fundit udhëheq me Sektorin e Punëve Juridike. Kryeshef i Njësisë për Punë dhe Përfaqësim në Procedurë Administrative është Metodi Micevski, ndërkohë që Njësia për Procedurë Kundërvajtëse udhëhiqet nga Elena Arsenovska. Njësinë për Punë Arkivore e udhëheq Dejan Denkovski. Shqiptar tjetër që udhëheq me sektor është Xhever Imeri, kryeshef i Punëve Administrative dhe Teknike. Ky sektor me pesë Njësi, përfaqësohet gjithashtu me vetëm një shqiptar – Bashkim Qamilin si kryshef të Njësinë për Siguri dhe Mbrojtje kundër zjarreve. /Koha/







