“TURIZMI DENTAR” NË DIBËR / Mërgimtarët, një udhë e dy punë

    Turizmi dentar po lulëzon gjithnjë e më shumë në Dibër vitet e fundit, duke u bërë një ndër format më të suksesshme të zhvillimit lokal. Ky lloj turizmi po tërheq vëmendjen për cilësinë e lartë të shërbimeve dentare, të krahasueshme me ato të vendeve evropiane, si dhe për çmimet e ulëta dhe të përballueshme për xhepin e mërgimtarëve.

    Mërgimtarët që kthehen në vendlindje gjatë pushimeve verore, përveç se vizitojnë familjarët, gjithnjë e më shpesh zgjedhin të rregullojnë edhe dhëmbët, duke përfituar dyfish nga vizita e tyre – një udhëtim, dy punë.

    Stomatologët dibranë shprehen të kënaqur me fluksin e pacientëve gjatë verës. Sipas tyre, pjesa më e madhe e termineve është e rezervuar nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit.

    Dibra dhe rrethina e saj janë të njohura për turizmin banjar, liqenor dhe malor, por vitet e fundit po njihet edhe si një destinacion i turizmit dentar. Edhe pse, sipas regjistrimit të fundit, Dibra numëron pak më shumë se 15 mijë banorë, në këtë qytet veprojnë 12 ordinanca dentare. Ky numër dëshmon se kërkesa për shërbime dentare ka ardhur duke u rritur, sidomos falë vizitave të shumta të mërgimtarëve gjatë sezonit veror.

    Krahas qytetarëve vendas, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve gjatë verës janë pikërisht dibranët që jetojnë në diasporë. Arsyeja kryesore është kostoja shumë më e lartë e trajtimeve dentare në vendet perëndimore, e cila i shtyn ata që intervenimet dentare t’i kryejnë në Dibër.

    Edhe këtë verë pritet që në Dibër të “zbarkojnë” shumë mërgimtarë nga diaspora, të cilët krahas vizitës familjare do të përfitojnë edhe nga shërbimet dentare cilësore. Nëse llogaritet edhe numri i ordinancave që veprojnë në komunat përreth, si Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë (gjithsej gjashtë të tjera), rezulton se në rajonin e Dibrës janë aktive 18 ordinanca dentare.

    Dentisti i njohur dibran, Emin Vërzivolli, në një prononcim për gazetën Koha, thotë se pjesa më e madhe e pacientëve të tij gjatë verës janë nga diaspora. “Përveç banorëve të Komunës së Dibrës, sidomos gjatë sezonit veror, kemi shumë pacientë nga diaspora – nga SHBA, Italia, Gjermania, Zvicra, Austria e të tjerë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dentar. Diferenca e madhe në çmime me vendet perëndimore është një nga faktorët kryesorë, ndërsa cilësia e shërbimeve që ofrojmë është konkurruese”, thotë Vërzivolli.

    Sipas tij, edhe kualifikimi profesional i dentistëve është një nga arsyet që pacientët nga jashtë vendosin t’i besojnë shëndetin e tyre oral pikërisht ordinancave në Dibër.

    Të njëjtin mendim ndajnë edhe dentistë të tjerë që veprojnë në qytet. Ata kujtojnë se vetëm para disa vitesh ishin të rrallë mërgimtarët që vinin enkas për shërbime dentare. Sot situata ka ndryshuar dukshëm, dhe prezenca e tyre ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e turizmit dentar në Dibër.

    Në një nga ordinancat dentare takuam edhe Aurora M., një 22-vjeçare nga diaspora që jeton në Bruklin, SHBA. “Është hera e parë që bëj intervenime në dhëmbët në Dibër. Para dy vitesh pagova disa mijëra dollarë në SHBA për një trajtim dentar. Këtë dimër pata sërish probleme me dhëmbët dhe duke u informuar nga të afërmit e mi dibranë që jetojnë në Amerikë, mësova se edhe në Dibër mund të kryhen këto ndërhyrje me cilësi të lartë. Vendosa ta vizitoj vendlindjen, familjen time, dhe natyrisht të përfitoj nga shërbimet dentare cilësore e më të lira”, thotë Aurora.

    Pritet që gjatë javëve në vijim të rritet ndjeshëm puna në ordinancat dentare të Dibrës, pasi shumica e mërgimtarëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Evropian zakonisht mbërrijnë në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.

    Një pjesë e mirë e ordinancave dentare në Dibër bashkëpunojnë ngushtë me klinika në qytete të tjera si Tetova dhe Shkupi. Kjo u mundëson dentistëve dibranë të aplikojnë standarde të larta dhe të avancuara në këtë fushë, duke rritur kështu besueshmërinë dhe reputacionin e tyre.

    Turizmi dentar në Dibër po shndërrohet në një sektor të rëndësishëm ekonomik dhe zhvillimor, me potencial të madh për të ardhmen.

    Lajmi Paraprak

    Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Lajmi i rradhës

    Dyer të mbyllura për shumë fëmijë: realiteti i hidhur i sistemit parashkollor në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë