Bulevardi duhet të vazhdojë deri në Poroj 

    Urim Hasipi

    Bulevardi i njohur në Tetovë si “V.S Bato”, ose rruga Industriale që fillon nga rrethrrotulllimi në dalje të Tetovës e deri tek kazerma e qytetit, duhet të vazhdohet deri në fshatin Poroj. Ky bulevard ose vazhdimi i tij duhet të realizohet pa asnjë zhagitje, pa arsyetime dhe vonesa të panevojshme. Ashtu siç ka mbetur deri më tani, ky bulevard është vetëm në shërbim të oligarkëve të ndërtimit, sepse me urbanizimin e asaj pjese të Tetovës, vetëm biznesmenët e fuqishëm përfitojnë duke bërë ndërtesa banimi kurse qytetarët e zakonshëm do të vazhdojnë të vuajnë dhe hjekin për të lëvizur në rrrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, sepse kjo rrugë regjionale është e stërngarkuar shumë dhe shpesh herë bllokohet trafiku, e sidomos gjatë periudhës së verës.

    Kaosi më i madh bëhet deri në dalja të fshatit Xhepçisht, kurse piknisja është tek stadiumi i qytetit. Prandaj, hapja e bulevardit të papërfunduar do të ishte shpëtim për mijëra banorë të komunave Tearcë dhe Jegunoc, por edhe për ata qytetarë të Kosovës të cilët kalojnë përmes rrugës nga Jazhinca e deri në Tetovë, jo domosdoshmërisht duhet të hyjnë në qytet por nga Poroji direkt do të dilnin në bulevard, pa pasur nevojë të jenë pjesë e kaosit. Ashtu siç është tani, bulevardi nuk është në shërbim të qytetarëve, por vetëm infrastrukturë për “mafinë urbane të Tetovës” e cila pa mëshirshëm ka ndërtuar në çdo skut të qytetit ndërtesa dhe ka i ka zënë frymën jetës urbane.

    Urbanizimi i pjesës tek ish-fabrika e Tullave, ndoshta edhe mund të ketë beneficione për një pjesë të sektorit të biznesit në sferën e ndërtimtarisë, por për qytetarët prioritet është vazhdimi i ndërtimit të Bulevardit, nga Kazerma deri në dalje të fshatit Poroj. Kjo nuk do të ishte ngarkesë për rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, duke patur parasysh se një rrugë tjetër është në ndërtim e sipër respektivisht qarkorja e Tetovës e cila do të del në fshatin Neproshten, që shpresojmë këtë vit të përfundojë. Me këto projekte që nëse realizohen në kohë, do të shpëtonte Tetova nga kosi i përditshëm sepse edhe ata qytetarë që tash duhet të udhëtojnë për në Shkup duhet patjetër të hyjnë brenda në qyetet.

    Komuna e Tetovës duhet që të gjejë mjete qoftë nga buxheti vetanak ose mjetet të qeverisë, apo ndonjë ministrie, pasi që tash janë në pushtet, dhe me rishikimin e buxhetit të parashohin vazhdimin e këtij bulevardi jetik për shumë qytetarë, të cilët mezi arrijnë në shtëpitë e tyre nga kaosi që krijohet te stadiumi i qytetit. Një dalje më shumë nga qyteti është një kaos më pak brenda në qytet, sepse për 4.7 kilometra rrugë nga stadiumi e deri në fshatin Xhepçisht duhen 20 minuta të arrihet.

    Një investim i kësaj natyre është domosdoshmëri e kohës dhe jo luks. Bëhet fjalë për rrugë dhe shpëtim nga tmerri për ato mijëra qytetarë që vijnë në Tetovë ose anasjelltas që udhëtojnë nga Tetova për në komunën e Tearcës ose Jegunocit por edhe drejt kufirit me Jazhincën.

    Hapja e bulevardit ka edhe karrakter human sepse, në raste urgjente që gjithnjë janë shtuar kësaj kohe, automjetete e ambulancës dhe zjarrfikësve mezi arrijnë në vendngjarje për të intervenuar. Krahas evitimit të kaosit, një rrugë e lirë për qarkullim është një jetë e shpëtuar në aksidente trafiku ose një shtëpi e shpëtuar nga djegia në rast të zjarrit.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Provoje njëherë lirinë, o shqiptar …

    Lajmi i rradhës

    Zjarri në Zhelinë, Sejdiu: dyshojmë se është shkaktuar qëllimisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë