Blerja e rrobave të “dorës së dytë” trend edhe në Shkup

    Dikur e lidhur ngushtë me nevojën, me pamundësinë ekonomike dhe shpesh edhe me njëfarë turpi social, blerja e rrobave të përdorura ka përjetuar një transformim rrënjësor. Sot, gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinj, zgjedhin dyqanet e dorës së dytë jo si një zgjedhje e detyruar, por si një zgjedhje e vetëdijshme.

    Nga një simbol i mungesës, ajo është shndërruar në një shenjë stili, origjinaliteti dhe vetëdijeje sociale e mjedisore. Në një botë të dominuar nga moda e shpejtë, ku rrobat prodhohen me shpejtësi dhe konsumohen po aq shpejtë, për të përfunduar më pas në grumbuj mbetjes, tregjet e dorës së dytë ofrojnë një alternativë të ngadaltë, por me shumë kuptim. Aty nuk blen thjesht një xhaketë apo një palë xhinse – blen histori, personalitet, autenticitet. Çdo veshje ka një të kaluar, dhe me pak fantazi, një të ardhme të re.

    Shumë të rinj shohin te kjo mënyrë të veshuri një mënyrë për t’i dalë kundër prurjeve të njëtrajtshme që ofrojnë zinxhirët e mëdhenj të modës.

    Në vend të uniformitetit, ata kërkojnë diçka ndryshe – diçka që nuk e sheh te secili kalimtar në rrugë. Dhe kur dikush pyet: “Ku e bleve këtë?”, përgjigjja “E gjeta në një dyqan të dorës së dytë” nuk është më diçka për t’u fshehur, por shpesh është burim krenarie.

    Sigurisht, aspekti ekonomik nuk është zhdukur. Në një kohë kur çmimet rriten më shpejt se rrogat, dhe kur një bluzë e zakonshme në një butik mund të kushtojë sa një pjesë e madhe e buxhetit mujor, dyqanet e dorës së dytë mbeten një strehë e vlefshme për shumë familje dhe individë. Me vetëm disa qindra denarë apo euro mund të vishesh nga koka te këmbët, pa bërë kompromis me cilësinë apo stilin. Dhe le ta pranojmë: kënaqësia për të gjetur një “perë” për pak para është e papërshkrueshme.

    Por përtej portofolit, vjen edhe ndërgjegjja. Industria e modës është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë. Qindra mijëra ton tekstile përfundojnë çdo vit në landfille, ndërsa miliona litra ujë dhe kimikate përdoren për të prodhuar veshje që shpesh mbahen vetëm disa herë. Në këtë kontekst, të zgjedhësh rrobat e dorës së dytë është një akt i vogël rebelimi – një refuzim për të qenë pjesë e një sistemi shkatërrues. Një veprim i thjeshtë, por me pasoja të mëdha.

    Për shumë njerëz, ky “pazar i vjetër” është bërë edhe një formë terapie. Të futesh në një dyqan ku çdo raft është një botë më vete, ku gjithçka është e papritur dhe ku nuk ke ide se çfarë do të gjesh, është një përvojë më ndryshe nga blerjet online apo vizitat në qendra tregtare sterile. Është një kërkim, një aventurë. Dhe në fund, kur gjen një xhaketë unike, një fustan vintage apo një çantë që duket si e viteve ‘70, fitorja është dyfish e ëmbël.

    Dhe kështu, nuk ka rëndësi nëse zgjedh dorën e dytë për të kursyer para, për të shpëtuar planetin, apo thjesht për të pasur diçka të ndryshme. Çdo blerje bëhet një deklaratë personale, për atë që je, për atë që beson, dhe për atë që dëshiron të transmetosh në botë.

    Sepse, në fund të fundit, moda e vërtetë nuk është ajo që shitet më shtrenjtë, por ajo që flet më shumë për ty. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pa liberalizimin e tregut, nuk do të hiqet “kartoni i gjelbër”

    Lajmi i rradhës

    RRETH DY MILIARDË EURO NË VIT / Buxheti i RMV, një e treta për pensione

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë