Qeveria vendosi për rritje lineare, dhe jo me përqindjeje, të pensioneve. Pritet që pensionistët të fitojnë nga 1.000 denarë në llogarinë e tyre në shtator dhe 1.000 të tjera në mars të vitit të ardhshëm. Paratë janë siguruar, thonë nga qeveria. Mirëpo nevojitet që ndryshimet ligjore t’i miratojë Kuvendi përpara se të shpallen zgjedhjet lokale më 8 gusht.
“Kemi marrë vendim për një rritje të re të pensioneve: 1.000 denarë në shtator 2025 (pagesa më 1 tetor); 1.000 denarë në mars 2026 (pagesa më 1 prill). Kjo do të thotë që pensionet do të rriten edhe me 2.000 denarë të tjerë, si vazhdim i rritjes së mëparshme prej 5.000 denarësh në vitin e parë të mandatit të kësaj qeverie. Gjithsej 7.000 denarë më shumë”, shkroi disa ditë më parë e në rrjetet sociale kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai theksoi se kjo është vazhdim i rritjes së mëparshme të pensioneve me 5.000 denarë. Kjo u zbatua në vitin e parë të mandatit të tij. Sipas tij, pensionistët meritojnë vëmendje, respekt dhe mbështetje, dhe qeveria do të vazhdojë me politika të tilla.
Në vend ka 344.800 pensionistë, ndërsa rritja e fundit prej 2.000 denarësh do të kërkojë 135 milionë euro shtesë në vit. Paraprakisht, përmbushja e plotë e premtimit parazgjedhor prej 5000 denarë gjeneron një kosto shtesë prej mbi 280 milionë euro në vit.
Buxheti i vitit 2025, para ribalancit parashikonte gjithsej 1.715 miliardë euro për pensionet e paguara nga Fondi Shtetëror i Sigurimeve Pensionale , ndërsa me ribalancin (versioni i dokumentit nga Parlamenti) shuma u rrit në 1.731 miliardë euro. Megjithatë, njoftimi nga Ministria e Financave pas miratimit të buxhetit thotë se qeveria ka planifikuar 2.5 miliardë denarë më shumë (40.6 milionë euro) për pagesën e pensioneve të rritura, që është pjesë e ndryshimeve shtesë.
Me vite, pensionistët i kushtojnë shtetit gjithnjë e më shumë para për çdo vit. Fondi Pensional nuk arrin ta mbledhë këtë shumë që shkon drejtpërdrejt për pagesën e pensioneve nga të ardhurat e veta, ku dominojnë të ardhurat nga kontributet e punonjësve, kështu që merr mbështetje financiare me mbi një të tretën apo mbi 600 milionë euro direkt nga buxheti i shtetit.
Në planin strategjik të Fondit për Sigurim Pensional për dy vitet e ardhshme, thuhet se trendi i rritjes së shpenzimeve është në rritje, dhe me të do të rritet edhe mbështetja buxhetore për mbulimin e deficitit apo dallimit midis të ardhurave vetanake dhe të hollave që vijnë nga arka e shtetit për të mbuluar fondet që mungojnë për pagesën e pensioneve. Për më tepër, shpenzimet për pensionet në vitin 2027 do të kalojnë dy miliardë euro. Sa për krahasim në vitin 2019 për pagesën e pensioneve u paguan afër 916 milion euro. Me fjalë tjera, nëse kemi parasysh se buxheti i vitit 2025 është 5.8 miliardë euro, ndërsa shpenzimet për pensionet i afrohen kostos prej afër 2 miliardë euro, del se një e treta e arkës së shtetit shkon për pagesën e pensioneve.
Të dhënat zyrtare thonë se në vend ka pothuajse 345 mijë pensionistë, nga të cilët përqindja më e madhe merr një pension mujor që varion nga 18 deri në 22 mijë denarë, ose 36 për qind. Afër 7.5 për qind marrin pension nën 18 mijë denarë. Nga 21.290 deri 27.500 denarë pranojnë pensione 27 për qind apo afër 93 mijë pensionistë. Për afër 19500 pensionistë apo 5.7 për qind, pensionet variojnë prej 43.740 deri 62.481 denarë dhe 3200 pensionistë pranojnë mbi 62.482 denarë.
Ekonomisti Pavle Gacov thotë se rritja lineare e pensioneve, duke përfshirë parametra të tjerë të pafavorshëm ekonomikë, prish stabilitetin financiar afatgjatë të sistemit të pensioneve, domethënë, ato prishin konceptin e lidhjes ekonomike midis kontributeve të paguara dhe pensionit që marrin përfituesit e pensioneve.
“Një rritje lineare e pensioneve do të nënkuptonte gjithashtu një pagesë lineare të kontributeve të pensioneve, dhe jo një pagesë në një përqindje të përcaktuar (përqindja aktuale është 18.8 për qind). Domethënë, me këtë metodë të rritjes së pensioneve, pagesa e kontributeve të pensioneve mbi pagën totale si bazë për llogaritjen e këtij kontributi dekurajohet”, thekson Gaçov.
Sipas tij, përveç arsyeve demografike dhe raportit të ulët punëtorë/pensionistë, stabiliteti financiar i Fondit të Sigurimeve Pensionale do të jetë nën presion të ri shtesë në periudhën e ardhshme për shkak të zbatimit të rritjes lineare të pensioneve me 5.000 denarë në muaj (rreth 330 milionë euro në vit).
Eksperti Branimir Jovanoviq nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thotë se Fondi Pensional i Maqedonisë nuk do të dështojë kurrë, shteti do të jetë gjithmonë në gjendje të gjejë para për të paguar pensionet. Sipas tij, problem për mungesën e parave për pagesën e pensioneve janë të shumta, përskaj rritjes së pensioneve.
“Arsyeja e parë e rëndësishme është reforma e pensioneve e vitit 2006, kur një e treta e kontributeve të sigurimit të pensioneve filluan të paguheshin në fondet private të pensioneve, ndërsa pensionet vazhduan të paguheshin vetëm nga fondi shtetëror. E dyta është ulja e normës së kontributeve – në vitin 2008 ishte 21 për qind, tani është 18.8 për qind. Arsyeja e tretë, ndoshta më serioze, është plakja e popullsisë – sot ka një person “të vjetër” (65+ vjeç) për çdo të pestë person në moshë pune (15-64 vjeç), ndërsa 30 vjet më parë kishte një “person të moshuar për çdo dhjetë persona në moshë pune”, thotë Jovanoviq.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Pensionale të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Memov, në takimin e 15-të të drejtorëve të fondeve të sigurimit pensional nga vendet e ish-Jugosllavisë dhe Republikës së Austrisë, që u mbajt një muaj më parë në Sarajevë theksoi se sfida më e madhe është sigurimi i një Fondi financiarisht të qëndrueshëm. Ai theksoi se kjo mund të arrihet duke futur masa që do të mundësojnë rritjen e fluksit të mjeteve në Fond.
“Për këtë qëllim, ne i kemi propozuar disa masa Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë që besojmë se do ta përmirësojnë gjendjen financiare të Fondit. Unë besoj se mënyra është të rritet fluksi apo grumbullimi , dhe jo vetëm duke rritur normën e kontributit ose moshën e daljes në pension”, tha Memov.
Sipas tij, është e nevojshme të rriten mundësitë për financimin e fondeve nga shtylla e dytë dhe të zvogëlohen kufizimet që janë aktualisht në fuqi, por edhe të shqyrtohet mundësia e investimit të fondeve nga shtylla e parë në mënyrë që të mundësohet fluksi pasiv edhe mbi këtë bazë.
Ai shtoi se ndër masat e propozuara është punësimi i përfituesve të pensioneve, gjë që do t’u lejojë atyre të vazhdojnë të përdorin pensionin e tyre, të kenë të ardhura shtesë dhe Fondi do të ketë një fluks fondesh bazuar në kontributet e paguara. /Koha/






