Sot, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministri Arben Featin, njoftuan për ndërtimin e një parku përkujtimor, në vendin ku katër vite më parë ndodhi një tragjedi që la pas vetes 14 viktima. Projekti u prezantua përmes një konference për media, vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale, përcjell Nistori.
“Sot nuk fillojmë ndërtimin e një parku. Fillojmë ndërtimin e një kujtese kolektive, të vonuar, por të domosdoshme. Katër vite më parë në këtë vend ndodhi një tragjedi që nuk guxon të harrohet. Megjithatë për katër vite me radhë, institucionet fatkeqësisht heshtën. Nuk vepruan. Zgjodhën të mos shohin. Dhe kjo heshtje ishte e padrejtë për ata që humbën jetën dhe për ata që çdo ditë kërkojnë drejtësi,” u shpreh ministri Aliu.
Ai shtoi se projekti nuk është për t’u dukur, por “është përgjegjësi e vonuar”, duke theksuar filozofinë arkitekturore të parkut që simbolizon “korniza të këputura, shtigje të përthyera dhe pemë që krijojnë hije reflektimi… për të kujtuar dhe premtuar se kjo nuk do të përsëritet më.”
Nga ana tjetër, iniciativa qytetare ZERO reagoi ndaj mënyrës së prezantimit të projektit, duke vënë në pikëpyetje intencën politike pas këtij veprimi.
“Ky park duhet të jetë vend kujtese dhe reflektimi, për nder të 14 viktimave, për familjarët që ende kërkojnë drejtësi, dhe për një shoqëri që nuk pranon të harrojë,” thuhet në reagimin e tyre.
Sipas ZERO, sfilata publike përmes konferencës për media ngre shqetësime serioze, veçanërisht duke qenë se ndodhi vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale.
“Nëse ky veprim synon të shfrytëzojë një tragjedi për përfitime elektorale, atëherë kjo do të përbënte një akt të papranueshëm dhe thellësisht të padenjë – sidomos kur bëhet fjalë për një ngjarje që ka lënë pas vetes dhimbje të thellë, mosbesim qytetar dhe familjarë që ende nuk kanë parë drejtësi të plotë.”
ZERO njoftoi gjithashtu se do të ndjekë nga afër procesin e realizimit të parkut përkujtimor dhe do të kërkojë “garanci të plota për përmbajtje, seriozitet dhe respekt të denjë për viktimat, larg çdo kalkulimi politik dhe vetëm në funksion të së vërtetës dhe drejtësisë që ka munguar për më shumë se katër vite.”
“Do të ishte më e ndershme që në vend të defileve para kamerave, të punohet seriozisht për zbardhjen e rastit – dhe jo të bëhen bashkëpunëtorë të heshtur të mosndëshkimit,” theksohet më tej në reagimin e iniciativës. /Nistori/






