Sot, në rrugën “Maqedonia” në qendër të Shkupit, u vendos një instalacion vizual në formën e një petulle gjigante, me një çerek të munguar – si metaforë për mënyrën se si korrupsioni zbraz buxhetin publik çdo ditë, përcjell Nistori.
“Çereku i humbur i petullës përfaqëson simbolikisht vrimën që korrupsioni krijon në buxhetin publik çdo ditë – fonde që zhduken në xhepa privatë në vend të arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës. Përmes kësaj performance krijuese dhe vizualisht të fuqishme, publikut iu bë thirrje të mendojë për pasojat reale të korrupsionit dhe të përfshihet në kërkimin e llogaridhënies dhe transparencës nga institucionet”, thuhet në deklaratën e OJQ-së “Analitika”.
Ata theksojnë se ndërhyrjet krijuese publike synojnë të mobilizojnë të rinjtë dhe opinionin e gjerë në luftën kundër korrupsionit.
Veprimi u konceptua dhe realizua në bashkëpunim me artistin Nikolla Pisarev nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup. /Nistori/








