Një tifoz i KF Shkëndijës, shtetas gjerman, duke drejtuar një motoçikletë me targa regjistrimi të Tetovës, shkaktoi një incident me prapavijë të intolerancës kombëtare në bulevardin “Ilinden” në Shkup, përpara ndeshjes mes Shkëndijës dhe Karabakut, përcjell Nistori.
Ai u arrestua nga Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të simboleve kombëtare shqiptare të vendosura në motoçikletën e tij, megjithëse policia nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me rastin.
“Më 05.08.2025, në orën 19:45, në bulevardin ‘Ilinden’, në zonën e Qendrës, zyrtarët e policisë nga Shërbimi i Sigurisë Kombëtare – Shkup, e privuan nga liria M.M. (37), shtetas i Republikës Federale të Gjermanisë, me dyshimin për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 319 të Kodit Penal. Në motoçikletën me targa të regjistrimit nga Tetova, që ai po drejtonte, ishte vendosur një simbol që nxit urrejtje dhe intolerancë kombëtare, fetare dhe racore. Prokurori publik është njoftuar dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës,” njoftoi Ministria. /Nistori/






