A mund të kalojë vala e ndryshimeve nga Serbia në B-H?

    Në Berlin u diskutua rreth situatës në B-H pas zgjedhjeve në këtë vend në fillim të tetorit. Por u diskutua edhe ndikimi i ngjarjeve nga Serbi në B-H.

    Në muajin që shënon përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Akademia Evropiane në Berlin organizoi një diskutim me titull “Dejtoni dhe pasojat e tij: Sistemi evropian i paqes në Ballkanin Perëndimor”, kushtuar situatës aktuale në Bosnjë-Hercegovinë (B-H) në dritën e zgjedhjeve të fundit në vend. Por u diskutuan edhe zhvillimet më të reja në Serbidhe ndikimi i mundshëm i tyre në raportet mes Sarajevës dhe Banja Lukës.

    Christian Schmidt flet hapur

    Ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ishte folësi kryesor në diskutimin e mbajtur në Shtëpinë Evropiane, zyrën përfaqësuese gjermane të institucioneve evropiane, pranë Portës së Brandenburgut në Berlin.

    Politikani i Unionit Kristian-Social (CSU), tashmë i liruar nga përgjegjësitë e postit që ushtroi deri këtë verë, foli hapur për gjendjen në B-H, vend në të cilin kaloi vitet e fundit të mandatit të tij.

    Schmidt theksoi se B-H është ende larg çdo afrimi serioz me Bashkimin Evropian, duke iu referuar raportit të fundit të Komisionit Evropian, i cili paraqet një tablo mjaft kritike për këtë vend kandidat. Megjithatë, sipas tij, edhe më shqetësues është raporti i OKB-së mbi zgjatjen e mandatit të misionit EUFOR Althea, ku theksohet se prania e forcave ndërkombëtare mbetet e domosdoshme për ruajtjen e paqes.

    “Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i BE-së nëse OKB-ja arrin në përfundimin se ai përbën kërcënim për paqen ndërkombëtare”, tha Schmidt.

    Mundësi më të vogla për shkëputjen e Republikës Serpska

    Schmidt i kushtoi vëmendje të veçantë zhvillimeve në Serbinë fqinje dhe ndikimit të tyre të mundshëm në Bosnjë-Hercegovinë. Sipas tij, një nga çështjet më të ndjeshme për të ardhmen e vendit, ajo e shkëputjes së Republikës Serpska, është bërë më pak e mundshme.

    “Çështja e shkëputjes nuk është hequr plotësisht nga rendi i ditës. Por besoj se mundësitë për arritjen e qëllimeve politike përmes kësaj teme janë zvogëluar”, tha Schmidt në një intervistë për DW.

    Ai kujtoi se ekzistonte rreziku që vitin e ardhshëm të organizohej një referendum për ndarjen e Republikës Serpska, por shtoi se personalisht nuk beson se qytetarët e këtij entiteti do ta mbështesnin një iniciativë të tillë.

    I pyetur nëse trazirat politike të ngjashme me ato në Serbi mund të ndodhin edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Schmidt u shpreh skeptik.

    “Serbia ka një shoqëri civile shumë më të zhvilluar. Bosnjë-Hercegovina nuk është homogjene në këtë drejtim, ndërsa as të rinjtë nuk veprojnë si një grup i unifikuar. Megjithatë, unë shoh disa mundësi për zhvillime të tilla”, tha ai.

    B-H në “sirtarin e tretë” të zgjerimit

    Në debatin që pasoi fjalimin e Schmidtit, drejtori i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Niels von Redecker, nuk e fshehu faktin se Bosnjë-Hercegovina mbetet një nga vendet kandidate më të largëta nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

    “Kemi vende që ndodhen në sirtarin e parë të zgjerimit, si Mali i Zi. Bosnjë-Hercegovina nuk është as në sirtarin e dytë, por në të tretin”, tha von Redecker.

    Ndërsa ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në Gjermani, , tërhoqi vëmendjen te bllokadat politike që pengojnë reformat dhe harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të Bashkimit Evropian.

    “Shumë prej tyre nuk e duan BE-në, sepse atëherë do të duhej të përballeshin me hetime, madje edhe me burg”, tha Arnaut.

    Në fund të diskutimit, pjesëmarrësit treguan interes të veçantë për të ardhmen e lidhjeve infrastrukturore dhe të transportit të Bosnjë-Hercegovinës me pjesën tjetër të Evropës, si dhe për projektet që mund të kontribuojnë në pajtim të qëndrueshëm dhe stabilitet afatgjatë brenda vendit. DW

    Lajmi Paraprak

    Një fletërrufe për Lasgush Poradecin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë