Prodhimet industriale në RMV çdo ditë e më shtrenjtë

    Të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), tregojnë se indeksi i çmimeve të prodhuesve të industrisë është rritur me 0.3 për qind në qershor 2025 krahasuar me muajin paraprak. Lëvizjet e çmimeve dallojnë dukshëm nga një sektor në tjetrin, duke reflektuar faktorë të ndryshëm ekonomikë dhe sezonal.

    Në bazë mujore, rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e nxjerrjes së mineraleve, ku çmimet u rritën me 2.5 për qind. Në industrinë përpunuese, çmimet u rritën me 0.3 për qind, ndërsa furnizimi me energji, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, si dhe furnizimi me ujë, largimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave dhe aktivitetet e sanimit mjedisor mbetën në të njëjtin nivel si në maj.

    Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, indeksi total shënon një rritje shumë më të lartë, e nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë dhe industrisë përpunuese. Furnizimi me energji, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ka pësuar rritje prej 8.3 për qind në një vit, ndërsa industria përpunuese ka shënuar rritje prej 5.5 për qind. Furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave dhe aktivitetet e sanimit janë rritur me 4.8 për qind. E vetmja rënie vjetore është regjistruar në sektorin e nxjerrjes së mineraleve, me -2.9 për qind, duke reflektuar ndoshta uljen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para ose rënien e kërkesës në disa industri të lidhura.

    Ndërkaq, të dhënat sipas tregjeve të shitjes për tregun vendas, çmimet e prodhuesve janë rritur me 0.2 për qind në krahasim me majin, ndërsa në raport me qershorin e vitit të kaluar janë më të larta për 5.7 për qind. Në tregun e jashtëm, çmimet janë rritur me 0.3 për qind në baza mujore dhe me 4.6 për qind në baza vjetore.
    Në industrinë përpunuese, çmimet e ushqimeve janë rritur lehtë, ndërsa prodhimi i metaleve ka shënuar luhatje më të ndjeshme, veçanërisht në tregtinë ndërkombëtare, ku ndikojnë drejtpërdrejt çmimet globale të lëndëve të para. Në furnizimin me energji, rritjet janë të lidhura me koston e prodhimit dhe shpërndarjes, që mbeten të ndjeshme ndaj kushteve klimatike dhe dinamikës së tregjeve energjetike në rajon.

    Ndryshe, analiza e përgjithshme tregon se, edhe pse rritja mujore është e lehtë, tendencat e shtrenjtimit në afat të mesëm janë të qarta. Rritja e çmimeve në industrinë përpunuese dhe në sektorin energjetik pritet të reflektohet gradualisht në çmimet që paguajnë konsumatorët, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e jetesës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Biznesi dhe tregtarët mbushin xhepat, mërgimtarët rinjgjallin Dibrën

    Lajmi i rradhës

    Gjatë 10 viteve të fundit, janë mbyllur 44 shkolla në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë