Transportuesit në Bosnje protestojnë kundër rregullave të BE-së

    Mijëra shoferë të kamionëve në Bosnje kanë ndërprerë dërgesat në mbarë vendin të hënën, më 1 shtator, duke kërcënuar se do të bllokojnë mallrat derisa kërkesat e tyre, për kushte më fleksibile të udhëtimeve dhe mbështetje më të madhe brenda Bashkimit Evropian, të plotësohen.

    Rreth 6.000 shoferë kamionësh ndalën pothuajse krejtësisht transportin e mallrave, duke shkaktuar kolona në trafik. Shoferët po kërkojnë kushte më të mira pune në tregun kryesor të eksportit të vendit, në BE.

    Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar BE-ja përbënte rreth 64 për qind të tregtisë së huaj të Bosnjes.

    Mbi 90 për qind të mallrave transportohen përmes transportit rrugor.

    “Ne kemi ndaluar zinxhirët tanë të furnizimit përmes Bosnje e Hercegovinës”, tha Velibor Peuliq nga asociacioni kryesor i shoferëve të kamionit në Bosnje, Konzorcijum logistika BiH.

    Ky asociacion ka penguar që rreth 4 mijë tonë mallra të shkonin në kryeqytet, Sarajevë, tha Peuliq.

    Për muaj të tërë, përfaqësuesit i këtij sektori, i cili ka ndërmjet 15 mijë deri në 18 mijë shoferë, kanë kërkuar nga autoritetet të negociojnë me BE-në për ndryshimin e një rregulli që ata e quajnë “diskriminues” ndaj tyre.

    Qëndrimi i tyre në bllokun evropian, ku Bosnja synon të anëtarësohet, është i kufizuar në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore – afat që vlen edhe për turistët.

    Ky rregull daton që nga viti 2008, kur Bosnja nënshkroi një marrëveshje tregtare me BE-në.

    Shoferët kërkojnë një përjashtim nga rregulli i 90 ditëve ose që vizitat e tyre të maten në orë, në vend të ditëve.

    “Pasi zinxhirët e furnizimit të ndalen, kjo do të jetë e dukshme në çdo qytet… Shpresojmë që ministritë të nisin të bëjnë punën e tyre që nga sot”, deklaroi Peuliq.

    Rreth 10 pika kufitare janë bllokuar përmes vendosjes së kamionëve dhe shumica e kamionëve janë vendosur në kufi me Kroacinë, sipas klubit automobilistik BIHAMK.

    Edhe pse qëllimi i shoferëve të kamionëve nuk ishte të bllokonin trafikun rrugor, veprimi i tyre ka shkaktuar vonesa të mëdha në hyrjet e disa qyteteve, përfshirë kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, tha BIHAMK. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjatë samitit të SCO-së në Kinë, Putin fajëson Perëndimin për luftën në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Si veprojnë njerëzit e suksesshëm me ata që nuk u pëlqejnë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë